Grushtet, gardistë dhe kamera në Kuvend
Strategjia e ndjekur shpeshherë kohët e fundit nga grupi parlamentar socialist dhe incidentet e ndodhura, në seancat e fundit, ka detyruar drejtuesit e Kuvendit që të kërkojnë shtim të forcave të sigurisë, si në sallë, ashtu edhe në ambientet e tjera të tij. Ndaj, ashtu si kryesia e Kuvendit, gjatë dy ditëve të para të kësaj jave, edhe salla e seancave plenare gjatë ditës së djeshme ka qenë e “blinduar” me gardistë, të cilët ishin vendosur thuajse në çdo qoshe të hyrjes së godinës, ashtu edhe brenda në sallë. Binte në sy, dje, vendosja e dy gardistëve që qëndronin ulur përballë tavolinës së Kryeministrit prapa foltores së Kuvendit, të cilët ishin të gatshëm të ndërhynin sa herë që një deputet do të tentonte t’i afrohej kreut të ekzekutivit. E njëjta situatë është paraqitur edhe në të gjitha hyrjet e tjera për në sallën e mbledhjeve të seancave plenare, ku gjatë gjithë kohës dje kanë qëndruar nga një punonjës tjetër garde. Gardistët kanë qenë të shumtë edhe në llozhën e gazetarëve. Ndërkohë, deputetë të PS-së bënë të ditur, dje, ndryshe nga herët e tjera, ambientet jashtë dhe brenda sallës së seancave plenare kanë qenë të monitoruara nga kamera të instaluara gjatë ditëve të fundit. Sipas tyre në korridoret e Kuvendit kanë qenë vendosur dhe tabela të posaçme të cilat lajmëronin deputetët se ambienti monitorohej me kamera.