PD-PS miratojnë ligjin e parë konsensual me 124 vota
Pavarësisht debateve të nxehta mes maxhorancës dhe opozitës, dje në seancë u miratua me konsensus ligji i parë. Me 124 vota pro, deputetët të të dyja palëve i thanë po projektligjit financiar për trajtimin financiar të familjeve të punonjësve të shtetit të rënë në detyrë. Në seancë, deputetët e opozitës kërkuan disa saktësime teknike, që pavarësisht se maxhoranca nuk pranoi, projektligji u votua me unanimitet. Ai kaloi me konsensus edhe në komisionet parlamentare. Kështu familjet e punonjësve të rënë në krye të detyrës do të trajtohen financiarisht nga shteti. Ligji parashikon dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, të Shpëtimit, të SHISH dhe Ushtrisë, që humbin jetën për shkak të detyrës. Fëmijët e punonjësve që kanë humbur jetën në detyrë, përfitojnë pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit në çastin e humbjes së jetës, deri kur secili prej fëmijëve të ketë mbushur moshën 18 vjeç. Përfitimet që jepen në përputhje me këtë ligj vendosen në vlerën 100 për qind të pagës, sa herë që paga sipas së cilës është llogaritur ky përfitim.