PD-PS nuk gjejnë dot konsensus për Kodin Rrugor
Mazhoranca dhe opozita nuk po arrijnë kompromisin për miratimin e Kodit Rrugor. Pavarësisht konsensusit të arritur disa ditë më parë kur u vendos dyfishimi i gjobave, çështja ka mbetur pezull për shkak të disa ndryshimeve që duhet të bëjë Partia Socialiste në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, i cili është mbledhur pesë herë deri tani. Edhe në mbledhjen e djeshme të këtij Komision opozita nuk ishte e pranishme. Fillimisht nga PS u paraqitën deputetët Besnik Baraj dhe Artan Gaçi. Dhe taksa po pritej ardhja e Edurd Shalsit, i cili është i ngarkuari për të paraqitur propozimet, u larguan edhe dy deputetë e tjerë të opozitës. Deputetët tentuan të lidheshin me Shalsin, por telefoni i tij ishte i fikur.
Shqyrtimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor ka sjellë debate edhe në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare dhe komisioneve. Fillimisht ka qenë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila ngriti shqetësimin e vonesës së miratimit të këtij ligji dhe kërkoi detyrimisht caktimin e datës për votimin e ligjit në seancë. Për këtë gjë nga opozita u përgjigj Namik DOkle, i cili kërkoi që ligji të miratohet të hënën meqë është vendosur të ketë seancë plenare.
Më poshtë disa nga debatet mes deputetëve në seancën me dyer të mbyllura:
Jozefina Topalli: Përpara se të shikojmë kalendarin, sot duhet të marrim një vendim, sepse, me sa kam qenë e informuar dje gjatë gjithë ditës, pavarësisht se është janë mbledhur deputetët paradite, pasdite dhe është shtyrë mbledhja për në mbrëmje, deputeti Shalsi nuk i ka miratuar amendamentet? Si është zoti Jemin ? Sepse në seancë plenare në bazë të vendimit konsensual të Konferencës së dy javëve më parë, kemi pasur vetëm Kodin Rrugor.
Jemin Gjana: Them se projektligji nuk është gati. Zoti Shalsi, po atë ditë, në emër të opozitës, ka paraqitur amendamente të tjera. Të gjitha amendamentet i mbyllëm të premten, duke mbetur te amendamenti që u paraqit nga kolegia Felaj në të dyja komisionet. Për këtë arsye e shtymë mbledhjen, meqenëse e hëna dhe e marta ishin ditë pushimesh.
Namik Dokle: Në qoftë se bëhet të hënën, meqenëse kemi seancë të hënën, mirë, por në qoftë se ju dalin probleme të kësaj natyre, atëherë duhet parë. Natyrisht, unë do ta kaloj te deputetët e komisionit atë shqetësim që doli këtu, por unë kam një sugjerim. Zoti Gjana, Meqenëse këto janë 3 projektligje për të njëjtën çështje dhe meqenëse janë shqyrtuar nga 3 komisione, mundohuni që të kontaktoni me të 3 komisionet për të bërë një raport të integruar, përfundimtar, për Kuvendin, meqenëse kanë dalë probleme.
Jemin Gjana: Zoti Dokle, unë nuk pretendoj që të ketë një informacion se çfarë ndodh në detaje ne te gjitha mbledhjet, por raporti dhe drafti i integruar i Kodit Rrugor ka qenë gati që ditën e premte.
Astrit Patozi: Unë dhe zoti Ruçi duhet të bënim më shumë kujdes që kjo ditë të mos vinte, sepse ne duhet të rezervohemi për të thënë fjalën e fundit, sepse, për shkak të funksionit, kemi thënë fjalën e parë, kemi nënshkruar këtë axhendë që duhet ta miratonim sot.
Namik Dokle: Unë në fakt isha i prirur që ky problem të mos na merrte shumë kohë për diskutim, por meqë proceduralisht projektligji nuk është gati, ta bëjmë gati proceduralisht dhe ta shqyrtojmë sa më parë që të jetë e mundur.
Ditmir Bushati: Janë një sërë projektligjesh të cilat duhet të kalojnë në Komisionin e Integrimit. Janë rreth shtatë projektligje
Jozefina Topalli: Dashkeni dieta edhe protagonizëm ju.
Astrit Patozi: Po në këtë mënyrë siç thua ti, i bie që të kalojnë të gjitha projektligjet te Komisioni i Integrimit
Ditmir Bushati: Po për këtë është axhenda e Integrimit Europian
Eshton: Reformimi i kuadrit legjislativ, prioritet kyç
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka mirëpritur takimin e parë të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian ka inkurajuar të gjitha forcat politike të vazhdojnë punën e tyre në një mënyrë konstruktive në komision, për të gjetur konsensus mbi reformën zgjedhore në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme. Reformimi i kuadrit legjislativ për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, është një nga prioritet kyçe të cilat duhen plotësuar që Shqipëria të shkojë përpara drejt objektivit të saj kombëtar për integrim në Bashkimin Evropian, – deklaroi Eshton, lidhur me takimin e parë të Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore në Shqipëri
Fyle: Duhen rezultate konkrete, nuk ka një shans tjetër
Bashkimit Europian kërkon rezultate konkrete për reformat dhe pas kësaj do të mund të ketë hapje të negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mesazhi është dhënë dje nga komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fyle, i cili ka theksuar përpara mediave se topi është atje ku i takon, tek krahu shqiptar. Mendoj se është e rëndësishme, përveç këtij qëndrimi, që ju keni krijuar më në fund, është e rëndësishme që të jepen rezultate. Pasi ata t’i japin rezultatet, ne do të kemi mundësinë për të rekomanduar qoftë hapjen e negociatave për anëtarësim, qofte nëse besojmë se progresi i bërë nuk e meriton atë ende, të paktën një status kandidat, – deklaroi Fyle. Nga ana tjetër, ai hodhi poshtë mundësinë e dhënies së një shansi tjetër për vendin tonë. Sipas tij, në këtë periudhë, nuk po planifikohet të synohet ndonjë mbledhje të Këshillit Europian, përveç atij të dhjetorit të vitit të ardhshëm.
Topi dekreton Kodin Detar dhe Hekurudhor
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje Kodin Detar dhe atë Hekurudhor, si edhe dy ligje të tjera. Të katër këto ligje janë miratuar në seancën e fundit parlamentare. Dekretet e fundit të kreut të shtetit duhet që të botohen në Fletoren Zyrtare dhe më pas të nisë zbatimi i tyre. Dy prej kodeve janë miratuar pas më shumë se dy viteve në pritje dhe tashmë ndryshimet e tyre që kërkuan konsensusin e opozitës do të hyjnë në fuqi. Ndryshimet në kode ishin të karakterit teknik, por opozita nuk i votonte ato duke e kushtëzuar votën me ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore dhe rikthimin e kodeve për rishikim.
