Buxheti, shkurtime në Diplomaci
Ky fakt u konfirmua dje nga drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve në Ministrinë e Jashtme, Ilda Dega, e cila raportoi në Komisionin e Jashtëm lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm. Në qoftë se në Londër janë 5 persona, ky numër mund të reduktohet në 4, dhe detyra kryhet. Ky mund të jetë një rast se si do të procedojmë. Kjo do të studiohet sipas përfaqësive diplomatike. Sipas informacioneve që kemi, në Gjeneve është një mision në të cilin nuk janë të nevojshëm 4 persona. Detyra bëhet dhe me 3 veta, theksoi zyrtarja e ministrisë së Jashtme. Një tjetër ulje e shpenzimeve do të realizohet dhe nga spostimi i diplomatëve në rezidenca me kosto më të ulët financiare. Por, kjo nismë ka ngjallur dhe debate në Komision, pasi përfaqësuesit e opozitës janë shprehur kundër një nisme të tillë. Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, theksoi se Ministria e Jashtme duhet të shtojë përfaqësinë diplomatike në Bruksel dhe në vende të tjera të rëndësishme, pasi ambasadat kanë mangësi në burime njerëzore. Nuk e kuptoj se si mund të realizohet lëvizja e diplomatëve nga një vend me kosto të lartë jetese në një vend tjetër të rajonit me kosto më të ulët. Nuk mund të krahasohet Londra me Shkupin. Si do të procedohet me shkurtimin e personelit? Kjo do të ndikojë negativisht më pas dhe do të shkojë deri në ndërprerjen e detyrës së diplomatëve, pohoi Dade.
Debati
Gjatë debateve në Kuvend edhe përfaqësuesit e PS-së kanë kërkuar nga Ministria e Jashtme që të mos ketë shkurtime në ambasadat e rëndësishme. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, deklaroi se shkurtimet buxhetore nuk mund të bëhen në kurriz të objektivave politike që ka vendi. Por, sipas zëvendësministrit Selim Belortaja, viti 2012 nuk do të këtë rritje personeli edhe në ambasadat e reja që janë miratuar këtë vit. Ka një vetëdije globale që viti 2012 nuk është një vit i përshtatshëm për të buxhetuar dhe për të hapur përfaqësi të reja në botë. Prandaj, për këtë arsye, ne mendojmë se këto ambasada nuk do të jenë efektive në vitin 2012. Kjo vlen dhe për ato ambasada që janë miratuar së fundi.
Votimi
Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Jashtëm nuk kanë marrë pjesë në votimin e buxhetit për Ministrinë e Jashtme. Komisioni Parlamentar e ka kaluar buxhetin vetëm me votat e shumicës.
Debati në Komisionin e Jashtëm
Arta Dade: Ju keni pasur buxhet për imazhin dhe promovimin e vendit. Pse nuk është më një zë i tillë? Çfarë do të bëhet me përfaqësitë e reja?
Selim Belortaja: Është e vërtetë që e kemi pasur një zë të tillë në buxhetin e MPJ-së, por reagojmë mbi efektivitetin dhe ecurinë e gjërave, dhe një zë i tillë nuk është më i nevojshëm. Sa u përket përfaqësive të reja, ne do të donim të shtriheshim sa më shpejt në çdo vend të botës ku jemi të pambuluar, por nuk janë mundësitë që të realizohen vitin e ardhshëm.
Fatos Beja: Pyetja ishte e tillë nga zonja Dade, që të mos shtrihemi shumë, se nuk kemi buxhet.
Selim Belortaja: Sigurisht, atë po thosha.
Namik Dokle: Këta (Ministria e Jashtme) janë të kujdesshëm, e shtrinë këmbën sa kanë jorganin.
Gazmend Oketa: Në këtë rast po shtrinë me kujdes batanijen.
Arta Dade: A do të pajisen këto ambasada me personel, sepse dhe pa staf nuk mund të lihen?
Selim Belortaja: Nuk është viti 2012 i përshtatshëm për të bërë plotësimin e ambasadave me personel.
Ilda Dega: Ne po bëjmë një ristrukturim të të gjitha përfaqësive diplomatike, një shkurtim të personelit në këto ambasada. Një ristrukturim po bëhet dhe duke lëvizur diplomatët nga vende me kosto të lartë jetese, në vende me kosto më të ulët jetese. Dhe kjo që bëhet do të japë efektet në vitin 2012, pasi e kemi nisur këtë vit këtë lëvizje.
Arta Dade: Unë di që në Vjenë kemi pasur emërime të tepruara. Çfarë do të bëni me këto emërime? Do ti korrigjoni këto? Pse janë bërë këto emërime të panevojshme?
Ilda Dega: Nuk do të ketë më emërime në ambasada. Numri do të jetë i përcaktuar.
Fatos Beja: Në asnjë rast nuk duhen bërë shkurtime financiare në kurriz të Diplomacisë dhe objektivave politike.
Namik Dokle: Duke parë revistën e Kuvendit, kuptoj që diplomacia parlamentare, e nisur nga kryetarja e Kuvendit, do të duhet të shoqërohet me një shkurtim prej 3 milionë lekësh nga fondet e Ministrisë së Jashtme, sepse kryetarja ndihmon në promovimin e imazhit të Shqipërisë.