E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, sherr pak orë para negociatave

TIRANE-Një ditë para se presidenti Bamir Topi të fillojë zyrtarisht negociatat për zhbllokimin e krizës politike në vend, si opozita ashtu edhe maxhoranca kanë konfirmuar se nuk do të heqin dorë nga kushtet e tyre. Partia Demokratike, nëpërmjet kreut të komisionit parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali, i bëri dje thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama të heqë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive dhe të respektojë rekomandimet e Këshillit të Europës. Rusmali tha se Rama po binjakëzon, sipas tij, dialogun me protestën, duke shtrembëruar kësisoj rekomandimet e Asamblesë Parlamentare të KiE-së. "Në daljen e tij të përditshme të ditëve të fundit, kryetari i Partisë Socialiste Rama është përpjekur të bëjë një lidhje, një binjakëzim midis nevojës për dialog politik dhe kërcënimit për protesta. Ky binjakëzim, kjo lidhje e dialogut me kërcënimin për protesta, është e papranueshme nga këndvështrimi i Rezolutës së Asamblesë KE. Dhe unë si kryetar i delegacionit të parlamentit shqiptar në këtë Asamble, kam dalë përpara jush të konfirmoj pikërisht këtë fakt, faktin që kryetari i Partisë Socialiste me një interpretim të mbrapshtë, me vullnet të sëmurë, po shtrembëron mesazhin që na vjen nga Asambleja Parlamentare e KiE", - deklaroi Rusmali. Ai garantoi ndërkohë se PD-ja është e gatshme të respektojë pikë për pikë rezolutën e KiE-së, duke nënvizuar se Asambleja tregon që ndërmarrja e bojkotit ka dëmtuar seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore në Shqipëri. "Asambleja i kërkon zotit Rama dhe Partisë Socialiste, i kërkon me forcë opozitës të rikthehet në Parlament dhe të marrë pjesë në punime te veta. Asambleja Parlamentare e KE në Rezolutën e saj në asnjë rrethanë, në asnjë rresht, në asnjë fjalë të saj nuk bën lidhje mes dialogut politik me kërcënimin për protesta", - theksoi Rusmali.PS: Të hapen kutitëPartia Socialiste hodhi poshtë pretendimin e maxhorancës se hapja e kutive të votimit cenon Kushtetutën. Sipas deputetit Taulant Balla, ky pretendim nuk qëndron në kushtet kur kreu i qeverisë, në vitet e fundit e ka shkelur të paktën 20 herë ligjin themeltar të shtetit. Balla bëri të ditur se PS nuk do të heqë dorë nga kjo kërkesë. "Hapja e kutive të 28 qershorit është transparencë kushtetuese dhe ligjore dhe për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh as me Kushtetutën, as me ligjet dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. 20 vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë gjetur fajtor Sali Berishën si shkelës të Kushtetutës. Bojkoti ynë dhe protestat qytetare janë të vetmit mekanizma demokratikë, në kushtet kur parlamenti është i uzurpuar për shkak të legjitimitetit të vet politik të munguar", - tha Balla. Më pas deputeti socialist nënvizoi se refuzimi i të drejtës për të hetuar zgjedhjet është në thelb uzurpimi i parlamentit. Duke i mëshuar termit krizë, Balla vuri në dukje se kjo krizë politike është një krizë degraduese dhe se legjitimiteti i zgjedhjeve është një problem që duhet zgjidhur për të ndalur këtë degradim.(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›