Prifti: Tokë falas për investitorët gjermanë
nertila maho
Investitorët e huaj do të gjejnë në Shqipëri terrenin e përshtatshëm për biznes të suksesshëm, nisur kjo nga barra e lehtë fiskale, krahu i punës dhe rrjedhimisht kostoja e ulët e prodhimit. Kështu u shpreh dje Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë takimit të organizuar nga Dhoma Gjermane e Tregtisë. Ai theksoi se Shqipëria është përpjekur të krijojë një klimë të mirë biznesi, ku investitorët të ndjehen të sigurt. Vëmendje dhe thirrje të veçantë, ministri bëri për investitorët që kanë si orientim të biznesit të tyre sektorin e fasoneve. “Në Shqipëri fasonët do të gjejnë një terren të përshtatshëm, pasi taksat janë më të ulëta edhe se Kina apo India. Ky biznes është i përjashtuar nga taksa e importit dhe eksportit. Nga ana tjetër kemi pagën minimale më të ulët dhe një popullsi të re e të kualifikuar për t’u punësuar”, theksoi Prifti. Ai bëri me dije se sektori i fasonëve shihet me përparësi nga Qeveria shqiptare, pasi është edhe sektori që punëson një numër të konsiderueshëm njerëzish. “Për këto biznese jemi të gatshëm që të ofrojë toka të lira falas, madje dhe në parqet industriale në porte për të pasur lehtësi në transport. Ne mendojmë se përmes kësaj do të përftojmë punësim të njerëzve në disa zona rurale dhe të varfra”, u shpreh ministri. Ai ftoi investitorët dhe konkretisht ata gjermanë, që të investojnë në Shqipëri pasi kjo e fundit paraqet një sërë potencialesh në disa sektorë kyç. Në këtë mënyrë, sipas ministrit, do të krijohet mundësia që marrëdhënia ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë të arrijë nivele të larta. “Rreth 20 për qind në vit ka qenë rritja e shkëmbimeve me Gjermaninë vitet e fundit, realisht më shumë sesa është ai i rritjes ekonomike. Kjo tregon se jemi në rrugën e duhur, por gjithsesi duhet të kërkohen dhe arrihen shkëmbime më të larta mes dy vendeve tona”, detajoi ministri. Kreu i Ekonomisë informoi se nga ana e Qeverisë janë marrë një sërë masash për të rregulluar kuadrin ligjor, në mënyrë që të krijohet një klimë sa më e mirë për biznesin dhe investimet, në një kohë kur këto shihen me përparësi.