PD-PS, vazhdon ndryshimi i listave të deputetëve në KQZ
Adi Shkembi
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë depozituar në momentet e fundit listat përfundimtare të kandidatëve për deputet. Pas protokollimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lista e dy partive të mëdha do të kalojë në sitën e ekspertëve të KQZ-së, të cilët do të verifikojnë dokumentacionin e paraqitur të kandidatëve si dhe përfaqësimin e dy gjinive në këto lista.
Listat
Partia më e madhe e opozitës mësohet se ka kërkuar ndryshime në qarqet e Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës. Në Shkodër PS-ja ka hequr emrin e Helidon Bele, duke e zëvendësuar me Zana Golemin. Ndërsa Kukës, janë ndryshuar emrat e vendit të katërt me të tretin, duke bërë që Tatiana Kërxhaliu të jetë e tretë në listë dhe i katërti Rexhep Ukperaj. Ndërsa në qarkun e Lezhës mësohet është hequr emri i Fran Markut, për tu vënë emri i Manushaqe Kuli, por emri ende nuk dihet. Nga ana e saj edhe PD-ja mësohet se ka bërë ndryshime në disa qarqe, por zyrtarët e lartë të saj e mbajnë sekrete këtë listë deri në momentin që ajo të bëhet publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gazeta ka mësuar deri tani se njëri prej ndryshimeve ka të bëjë me qarkun e Tiranës dhe atë të Beratit. Kështu bëhet e ditur se Drejtoresha e Kulturës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Migena Reçi nuk do të jetë më në vendin e 30 në listën e Tiranës, sipas vendimit të parë të kryesisë së PD-së, por e shtata në qarkun e Beratit. Vendin e saj në listën e kryeqytetit do ta zërë rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Një tjetër ndryshim është ai i qarkut të Kukësit. Sipas variantit të parë në këtë qark ishin të vendosur tre kandidatë në listë dhe vetëm një kandidate. Por kjo renditje bie ndesh me Kodin Zgjedhor, i cili sanksionon që një në tre kandidatë të jetë femër. Burime në PD bënë të ditur se me listën e këtij qarku nuk është vepruar si në Tiranë e Berat, por është shtuar dhe një kandidat i pestë. Mësohet se megjithëse qarku ka katër vende në listë, PD-ja ka shtuar Myzejen Aliajn dhe e ka argumentuar me faktin se pas zgjedhje një prej kandidatëve të parë që do të dalë fitues mund të emërohet në detyra të tjera jashtë vendit. Ndryshime kanë pësuar edhe lista e qarkut të Dibrës, e cila nga gjashtë kandidatë për deputetë kishte vetëm një femër, ndërkohë që sipas Kodit duhet të jenë të paktën dy kandidate femra. PD-ja pritet të përcaktojë një kandidat për deputet edhe në qarkun e Durrësit, nga ku u largua pak ditë më parë deputeti aktual i kësaj partie, Sami Gjergji. Megjithëse dy partitë e mëdha kanë depozituar listat e ndryshuara të kandidatëve, ato do të kenë mundësi që të rishikojnë sërish këto lista deri në 27 maj, ditë kur është edhe afati i fundit ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lejon korrigjime. Ky afat në fakt është edhe për të apeluar në Kolegjin Zgjedhor vendimet që është duke marrë KQZ-ja lidhur me listat shumëemërore të partive politike. Dy forcat e mëdha politike depozituan në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë listën me 140 kandidatë për deputetë, duke shkelur Kodin Zgjedhor, i cili parashikonte ditën e martë si afatin e fundit për dorëzimin e listave. Megjithëse PD e PS kishin të gjithë kohën e mjaftueshme për të dorëzuar listat brenda afatit ligjor, ato të dyja e shkelën këtë afat, duke akuzuar më pas njëra tjetrën për moszbatimin e ligjit elektoral.