Korça prezanton produktet në Tiranë
Festë korçare në Tiranë. Kryeqytetasit kanë festuar mbrëmjen e djeshme nën tingujt e serenatave korçare, por jo vetëm kaq, ata kanë shijuar edhe produktet tradicionale të qytetit të Korçës. GTZ, në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës dhe Dhomën e Tregtisë si dhe më mbështetjen e bizneseve kanë organizuar dje aktivitetin ‘Ditët e Korçës në Tiranë’, i cili u zhvillua në qendër të Tiranës. Aktiviteti i nisur dje do të vazhdojë edhe mbrëmjen e sotme. Në festë merrnin pjesë jo vetëm korçarë por edhe mjaft kryeqytetas, të cilët ndoqën nga afër koncertin e zhvilluar me këtë rast. Magjia e serenatave korçare, karnavalet dhe produktet korçare, sollën në Tiranë, një atmosferë festive për qytetarët. E sigurisht në një festë të tillë nuk mund të mungonte edhe birra Korça, birra e parë e prodhuar në vend. Gjithashtu në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe disa biznese të tjera korçare, si mjalti Morava, etj. Sipas përfaqësuesit të GTZ-së, Ismail Beka, është hera e parë që një festë e tillë me tradita të një qyteti tjetër organizohet në Tiranë. “Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i prodhimeve lokale. Ky aktiviteti u organizua nga gaz, Bashkia Korçë dhe Dhoma e Tregtisë por një pjesë të rëndësishme në organizimin e këtij aktiviteti zë edhe biznesi pjesëmarrës”, u shpreh ai. Sipas Bekës, duke parë ecurinë e kënaqshme të këtij aktiviteti do të shikohet mundësia e organizimit të një festë të tillë edhe në qytete të tjera. Në festën e djeshme ishin të pranishëm edhe personalitete të njohur.