E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dje vendimi - Deputetët, KQZ kthen listat e shtatë partive

 

adi shkembi

Problemet e dokumentacionit dhe mospërfaqësimi sa duhet i femrave në listat e kandidatëve, ka bërë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kthejë dosjet e shtatë partive, mes të cilave njëra është parti parlamentare. Kështu Partia Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Balli Kombëtar Demokrat, Partia Forca Albania, Partia për të Drejtat e Mohuara e Re, Partia Rruga e Lirisë nuk morën miratimin e shtatë anëtarëve të KQZ-së për shkak të problemeve kryesisht me dokumentacionin. Por përveç tyre, institucioni i administrimit të procesit zgjedhor ktheu edhe listat e Partisë Demokristiane dhe Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, të cilat janë pjesë e “Polit të Lirisë”. Disa nga kandidatët e LZHK-së, kishin përdorur si dokument identifikimi, pjesë të dosjes së tyre të kandidimit, fotokopje të letërnjoftimeve të para viteve 90, dhe refuzimi i këtij dokumenti nga KQZ-ja solli habinë e përfaqësueses së LZHK-së. “Ato letërnjoftimet e Enverit nuk njihen?”, ishte pyetja e përfaqësueses së KQZ-së që shkaktoi të qeshura në mbledhjen e dytë brenda një dite të këtij institucioni. E vetmja parti që iu miratua lista ishte Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve. Por përfaqësimi i vogël i femrave në listat zgjedhore dhe dokumentacioni, nuk ishte problemi i vetëm që kishin disa nga forcat politike. Në një rast, partia “Rruga e Lirisë” në qarkun e Korçës nga 12 kandidatë për deputetë, kishte vendosur vetëm një mashkull, çka bie ndesh me kodin zgjedhor, i cili kërkon përfaqësim të paktën 30 për qind të njërës prej gjinive. Ky ishte një shkak i mjaftueshëm që edhe kësaj force politike ti kthehej lista për ta rishikuar. Ashtu si edhe një ditë më parë anëtarët e opozitës dhe maxhorancës në KQZ u përfshinë nga debatet lidhur me miratimin e listës së Partisë e të Drejtave të Mohuara- e Re, sepse ajo nuk kishte paraqitur kandidatë në tre qarqe të vendit. Debati mori më shumë doza politike po të kihet parasysh se kjo forcë politike është pjesë e koalicionit prej 17 partish që drejtohet nga Partia Demokratike. Përfaqësuesit e opozitës në KQZ dhe në radhët e vëzhguesve theksuan se kjo parti duhet të përjashtohet nga zgjedhjet pasi nuk ka përmbushur detyrimet e kodit zgjedhor, i cili detyron partitë që janë në koalicion që të kenë të paktën gjysmën e kandidatëve në çdo qark të vendit. Por anëtarët e maxhorancës në KQZ propozuan që kësaj force ti rikthehet për rishikim lista për shkak të problemeve me dokumentacionin dhe me këtë rast të bënte edhe plotësimin e listës në qarqet e mbetur bosh. Pasi u hodh në votë, ky propozim u miratua me katër votat e anëtarëve të maxhorancës, ndërsa dy anëtarët e opozitës, Artan Lazaj dhe Pandeli Varfi votuan kundër. Dita e sotme pritet të jetë gjithashtu e ngjeshur për miratimin e listave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas kalendarit sot pritet të miratohet lista e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules, Partia Lëvizja e Legalitetit e Ekrem Spahisë, Partia republikane e Fatmir Mediut, Partia Socialiste e Vërtetë ’91 e Petro Kocit, Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit dhe Partia Aleanca Demokratike e Neritan Cekës. Ndërkohë që janë edhe rreth 14 parti të tjera, mes të cilave edhe Partia Demokratike dhe ajo Socialiste për të miratuar listat e kandidatëve.

Partitë që iu kthyen listat

Partia Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut

Balli Kombëtar Demokrat

Partia Forca Albania

Partia për të drejtat e mohuara e re

Partia rruga e Lirisë

Partia Demokristiane

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

KQZ ndan kohën në TVSH
KQZ miratoi dje vendimin “Për kohën e transmetimit për partitë politike në Televizionin Publik”. Sipas vendimit, PD dhe PS, që kanë marrë më shumë se 20% për qind të vendeve në Kuvend, përfitojnë një kohë transmetimi në TV publik prej 60 minutash gjatë 30 ditëve të fushatës elektorale. Ndërsa partitë parlamentare, që kanë nën 20 % të vendeve në parlament, përfitojnë 30 minuta kohë transmetimi në TV Publik. Në grupin e këtyre partive bëjnë pjesë PR, PSD, LSI, PAA, PAD, PBDNJ, PDK, PDS, PBL. Të gjitha partitë e tjera, që konkurrojnë në zgjedhjet  e 28 qershorit
dhe janë jashtë parlamentit, përfitojnë
një kohë televizive transmetimi
prej 10 minutash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›