Samsung dhe LG shesin mbi 40 milionë celularë
Dy prodhuesit koreanë të teknologjisë kanë njoftuar se kanë shitur (secili) nga 20 milionë celularë me ekrane të ndjeshme në prekje. Shitja e celularëve me ekrane të ndjeshme në prekje është në rritje të vazhdueshme, e pothuajse secili prodhues e ka vendosur llojin e këtyre pajisjeve në ofertat e tyre. Një prej lojtarëve të mëdhenj në këtë fushë, Samsung e LG, për dy vite së bashku kanë shitur 40 milionë celularë me ekrane të tilla. Aktualisht në renditje sipas shitjes, Samsung gjendet në vendin e dytë, ndërsa LG në të katërtin. Modelet më të popullarizuara të Samsungut kanë qenë F480 e Omnia, ndërsa nga modelet e LG-së më së miri janë shitur Viewty e Cookie.
Kamerat e “Panasonic” vendosin rekorde të reja
Kompania Panasonic ka prezantuar dy videokamera të cilat vendosin rekorde të veçanta për karakteristikat e tyre. Të dy kamerat incizojnë HD video me rezolucion të plotë (1080p), me nga 24 fotografi në sekondë. Modeli i parë i paraqitur është HDC-TM30, i cili peshon gjithsej 227 gramë dhe e bën këtë kamer më të lehtën në botë me 1080p. Karakteristika të tjera të saj janë sasia e memories prej 32 gigabajt dhe objektivi me 16 x zoom. Kamera përmban stabilizim elektronik të fotografisë. Kamera e dytë është HDC-TM350 dhe mund të lavdërohet për memorien më të madhe të integruar ndonjëherë në një videokamer, ka jo më pak se 64 gigabajt. Modeli TM350 synon kualitet më të mirë të incizimit, prandaj regjistron zërin në formatin 5.1. Objektivi në këtë kamer po ashtu është stabilizuar, por mundëson zmadhim “vetëm” 12 x. Të dyja kamerat do të duhet të paraqiten në shitje në fund të muajit qershor me çmim tani për tani të panjohur.
23 Maj 2009