PS: KQZ po kthehet në një seksion militantësh të PD-së
Partia Socialiste shprehu dje shqetësim me vendimmarrjen e KQZ-së në lidhje me listat e kandidatëve. Nënsekretari socialist për çështjet ligjore, Damian Gjiknuri akuzoi KQZ-në se është kthyer në një seksion militantësh. “PS është thellësisht e shqetësuar për vendimmarrjen e KQZ, një vendimmarrje thellësisht e politizuar dhe e orientuar politikisht, në funksion të interesave politike të qeverisë Berisha. Kryeministri Berisha me farsën e tij mediatike dhe me ndihmën e seksionit militant në KQZ, po mundohet të fshehë shkeljet e rënda ligjore në lidhje me kriteret e listës së kandidatëve për deputet. Lista e PD e dorëzuar në KQZ është thjeshtë listë emrash e pa shoqëruar me asnjë dokumentacion siç e kërkon ligji. Treguesi më i mirë farsës së kësaj liste është fakti që Z. Berisha, Znj. Topalli dhe Z. Patozi vetëm dje kanë dorëzuar deklaratën e kandidimit, ndërkohë që pjesa më e madhe listës akoma nuk ka dokumentet përkatëse”, tha Gjiknuri. Sipas tij, është e vërtetë që PS e dorëzoi listën e kandidatëve vetëm një orë pas PD, por kjo listë shoqërohej me dokumentacionin e saktë dhe me deklaratat individuale të çdonjërit prej 140 kandidatëve. E vetmja mangësi e kësaj liste ishe mungesa e dy fotokopjeve të dokumenteve të identifikimit, si dhe një ndryshim në listë për të plotësuar kuotën gjinore të kërkuar nga ligji. Ai i bëri apel KQZ-së “të rishikojë sjelljen e saj institucionale e të udhëhiqet vetëm nga ligji, përndryshe do të behet bashkëpunëtore në krimin që po përgatitet ndaj zgjedhjeve të lira. Partia Socialiste nuk mund të njohë një palë zgjedhje ku “arbitri” kthehet në “xhelat”. I menjëhershëm ishte reagimi i PD-së përmes zëdhënëses së saj, Erla Mëhilli, e cila hodhi poshtë akuzat e PS-së. “PD po procedon sipas ligjit dhe kodit elektoral. Sot Edi Rama, i cili për vete ja mbathi nga lista e Partisë Socialiste dhe që ka krijuar një listë me gramafonë dhe leje ndërtimi, pati dhe kurajon të sulmojë listat e Partisë Demokratike. Ai që theu ligjin dhe Kodin Elektoral në dorëzimin e listave është Z.Rama, të cilin xhaketat e vjetra por dhe gramafonët e rinj nuk e lejuan të dorëzonte atë pa vendosur veten në krye të saj”, tha Mëhilli.