PD: Përshëndesim çdo dialog që respekton rezolutën e KiE-së dhe raportin e ODIHR-it
Partia Demokratike ka përshëndetur sot edhe zyrtarisht tryezën e thirrur nga presidenti i republikës për ditën e shtunë, mes kryetarit të mazhorancës Sali Berisha dhe kryetarit në detyrë të PS-së, zotit Edi Rama. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, në një deklaratë për shtyp ka rinovuar angazhimin e së djathtës për të dhënë gjithë kontributin e saj për mbarëvajtjen e dialogut, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, rezolutën e KiE-së dhe raportin e OSBE/ODIHR-it.
Ja edhe deklarata e plotë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, dëshiroj të shpreh vlerësimin pozitiv për thirrjen nga Presidenti i Republikës të tryezës së dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës. Si një ndër protagonistet e kësaj tryezë, Partia Demokratike është e vendosur që të japë të gjithë kontributin e saj, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe raportin e OSBE-ODIHR-t për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Gjithmonë në funksion të këtij qëllimi vullnetmirë, ne i qëndrojmë plotësisht respektimit dhe mbështetjes së plotë të dokumenteve të mësipërme. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo mazhorancë ka patur, ka dhe do të vazhdojë të ketë dialog me Partinë Socialiste dhe me cdo faktor tjetër politik të vendit. Dhe në dritën e qartë të këtij përcaktimi ne e shikojmë edhe tryezën e ftuar nga Presidenti i Republikës....