PD: Qeveria nuk ka deklaruar se BB urdhëroi prishjen e ndërtimeve në Jalë
Prishja e ndërtimeve pa leje në zonën e Jalës është bërë mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Demokratike ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga kreu i PS, duke deklaruar se prishja e ndërtimeve të paligjshme në Jalë, është një zbatim konstant i ligjit të vendit në të gjitha zonat turistike. Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Gerti Bogdani bëhet e ditur se "qeveria shqiptare nuk ka deklaruar kurrë se Banka Botërore ka urdhëruar prishjen e ndërtimeve pa leje në Jalë".
Gjatë një deklarate për shtyp, Bogdani duke e cilësuar Edi Ramën, Mr. 15%, apo Mr. Dosja, ka theksuar se ky i fundit për të mbrojtur aksionet e tij në kompaninë Edil, hoqi maskën dhe doli të protestojë për fshatin turistik që do të ndërtojë me kompaninë e tij Edil në Jalë. Në reagim të deklaratës së kryesocialistit Edi Rama, zëdhënësi Bogdani tha se PD i thotë z. Edi Rama se mund të korruptosh ndonjë vizitor që të mesym ty për të mbushur xhepat e veta me paratë qe u vjedh taksapaguesve, por nuk do të mundesh asnjëherë të shndërrosh Jalën si Tiranën, në çifligun tënd dhe të Shalsave të tu. Duke hedhur poshtë shpifjet dhe trillimet e kryetarit të PS-së, z. Bogdani nënvizoi se qeveria shqiptare ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se BB jo vetëm ka pranuar politikat e prishjes së ndërtimeve pa leje, por ka kërkuar gjithashtu qe me paratë e projektit të bëhet fotografimi i zonës së bregut për të konstatuar ndërtimet e paligjshme, dhe këto foto ti dorëzohen institucioneve përkatëse. Prishja e ndërtimeve të paligjshme, vijoi ai, është një zbatim konstant i ligjit të vendit në të gjitha zonat turistike. Me shpifjet dhe trillimet e tua, me tymnajat që lëshon, mendon të zhurmosh mbajtjen peng të planit urbanistik të Tiranës për llogari të Koçove dhe Edileve të tu, duke ndëshkuar kështu mbarë qytetarët e Tiranës, përfundoi Bogdani.