PSD, Çuli: Konflikti me Ndërkombëtarët, Shqipëria riizolohet
Qeveria dështoi me premtimin elektoral për marrjen e statusit të vendit kandidat. Këtë deklaratë e ka dhënë, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PSD, Diana Çuli. Tani, pas 4 vjetësh, tha Çuli, Bashkimi Evropian i thotë qartazi e pa ekuivoke kësaj qeverie se nuk është gati, se kushtin për zgjedhjet e ktheu në shans të humbur që me zgjedhjet lokale të 2007, ku u shkelën standardet, i thotë kësaj qeverie se kushtin e reformave e shndërroi përsëri në shans të humbur, me antireformën dhe me ligjet antikushtetues të tipit të pastrimit, që megjithë paralajmërimet ndërkombëtare, e solli me kokëfortësi në parlament.
Çuli theksoi se qeveria me deklaratat absurde të kërkesës në qershor, kur në të vërtetë, me konfliktualitetin që e ka vënë vendin me ndërkombëtarët, po e riizolon Shqipërinë njësoj si në 96 97-ën. Çuli u ndal tek raporti i DASH, ndaj të cilës sipas saj qeveria jo vetëm që nuk reagon ndaj kritikave të qarta, për kapje shteti dhe korrupsion, por kërkon edhe ta zhvlerësojë raportin e DASH, duke u tallur që nuk është lexuar mirë, duke e detyruar DASH të rishprehet për të disatën herë, nëpërmjet ambasadorit amerikan në Tiranë. Sipas Çulit, këmbëngulja e shefit të qeverisë për tu kundërvënë institucioneve ndërkombëtare, si dhe shpërfillja e rekomandimeve të tyre, përveç se është një mashtrim i rëndë elektoral, e nxjerr zbuluar para syve të shqiptarëve për demagogjinë e tij ndaj çështjes së integrimit. Përveç kësaj, kjo përkthehet në kosto për shqiptarët, në zgjatjen e pafund të afatit të liberalizimit të vizave, në bllokim të programeve të punësimit dhe të investimeve të huaja. Çuli theksoi se kërkesa për integrim do të bëhet nga koalicioni fitues i majtë, pjesë e të cilit është dhe Partia Socialdemokrate.