E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama bëri për të qeshur shqiptarët

TIRANË- Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj reagoi menjëherë pas deklaratave të kryesocialistit Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së. Mustafaraj tha se Rama me deklaraën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, bëri për të qeshur shqiptarët.

“Z. Rama sot gajasi shqiptarët me hipokrizinë e tij të radhës që lëshoi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, sipas së cilës ai nuk dëshiron Avokatin e Popullit nga Partia Socialiste apo që të marrë urdhëra prej tij e partisë që ai përfaqëson. Z. Rama vetë harroi, por shqiptarët natyrisht që jo, se ai vetëm dy javë më parë propozoi për në bordin e Bankës së Shtetit, insititucionit më të depolitizuar të vendit, militanten e thekur të PS-së, anëtaren e kryesisë besnike të partisë së tij, zj. Ermelinda Meksi”, tha Mustafaraj.

Në deklaratë theksohet më tej se kryetari i PS-së Rama flet për institucione të pavarura, por të tilla konsideron vetëm ato që i vendos nën kontrollin e partisë.
“Duam të pyesim z. Rama, kur je serioz dhe i vërtetë, kur cicëron për pavarësi të institucioneve kushtetuese, apo kur në emër të kësaj pavarësie emëron në krye të tyre drejtuesit kryesore të Partisë Socialiste?”, përfundon deklarata.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›