PD: Rama kërkon pazar për heqjen e imunitetit

Zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi
TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar sot Partinë Socialiste se po përpiqet të bëjë pazar me heqjen, dhe sipas rastit të kufizimin e imunitetit për të gjithë mbartësit e tjerë.
Në një deklaratë për shtyp, nga selia blu, zëdhënësja, Silvi Bardhi duke iu referuar deklaratave të kreut socialist, Edi Rama tha se, ai nuk pranon këto qëndrime dhe kërkon si pazar për votimin e tyre, vendosjen në Shqipëri të Kushtetutës së pakicës bllokuese apo Kushtetutës së sundimit të pakicës.
Sipas saj, për rrëzimin e murit të imunitetit, Këshilli i Miliarderëve kërkon të vendosë në zyrat e Fidelit, Presidentin e Republikës dhe Krytarin e Gjykatës së Lartë dhe atë të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjykatësit e tyre, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në mënyrë që kjo Kupolë të ketë të garantuar pasurimin e tyre të paligjshëm, dhe pavarsisht se për cilën forcë politike votojnë qytetarët, ata të bëjnë ligjin me Kushtetutën e sundimit të pakicës.
Partia Demokratike thekson dhe një herë, se muri i imunitetit është muri i korrupsionit, është mburoja e pasurimit të paligjshëm dhe kriminal të imunitarëve të vendit në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, është muri që shkatërron çdo ditë qindra vende pune, lëndon çdo ditë mbi gjysëm milioni pensionistë shqiptarë.- vazhdon më tej deklarata.
PD, i bëri thirrje Ramës që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe dhe të votojnë së bashku me 6 gusht heqjen, apo kufizimin e imunitetit si një histori suksesi për çdo qytetar të këtij vendi.