PD: Raporti për kartat u bë nga kandidatët e PS
Partia Demokratike reagon ndaj raportit të fundit të publikuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri, sipas së cilës një numër i madh qytetarësh rrezikojnë të marrin pjesë në votime për shkak të mospajisjes me kartat e identitetit. Zëdhënësja e fushatës elektorale të PD-së, Majlinda Bregu, tha gjatë një konference për shtyp se raporti u hartua nga individë të shoqërisë civile, të cilët janë tani kandidatë të PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit. “Në raportin e tyre të monitorimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, të pavarurit militantë të PS-së, Ditmir Bushati dhe Gledis Gjipali kanë servirur edhe një herë një lumë gënjeshtrash e pretendimesh infantile. Për të disatën herë, kandidatë për deputet të Partisë Socialiste, nën petkun e shoqërisë civile, po manipulojnë të vërtetën mbi momentet më jetike të jetës politike dhe shoqërore të këtij vendi”, tha Bregu. Sipas saj, “plotësimi i detyrimeve për realizimin e këtyre zgjedhjeve me standarde evropiane është prioriteti i kësaj qeverie. Asnjë kandidat i shpallur apo i hatërmbetur socialist nuk mund të mohojë arritjet për të transformuar procesin zgjedhor nga një proces manual i qeverisjes socialiste, në një proces tërësisht transparent e demokratik”. Duke iu referuar shifrave të Ministrisë së Brendshme, Bregu bëri të ditur se deri ditën e mërkurë kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik 14.900 shtetas, duke e çuar kështu numrin total të aplikimeve në 1.202.584. “Me misionin fisnik të shoqërisë civile si partner në demokratizimin e jetës së një vendi, nuk mund të abuzohet nga militantë politikë, qofshin këta ish-komunistë, socialistë, ish-mjaftistë, apo G 99-sha. Ja kush janë ata që përgatitën raportin e monitorimit të ecurisë së procesit të pajisjes me karta: Ditmir Bushati, kandidat i Partisë Socialiste në Tiranë, Gledis Gjipali, i biri i Saimira Pinos, anëtare e kryesisë së PS-së”, theksoi Bregu.