PS lë hapur shtyrjen e zgjedhjeve
Aristir Lumezi
Partia Socialiste nuk përjashton opsionin e shtyrjes së datës së zgjedhjeve. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, u shpreh dje se Partia Socialiste nuk përjashton asnjë opsion në këtë gjendje ku ndodhet procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti. I pyetur nga gazetarët nëse rrezikohet data e zgjedhjeve, 28 qershori, për shkak të situatës me kartat e identitetit dhe listave zgjedhore, sekretari socialist u shpreh se PS-ja do të dalë shumë shpejt me një qëndrim të qartë politik. “Ne jemi duke e menduar seriozisht këtë gjë, është bërë e njohur përmes konferencave të shtypit, deklarimeve publike, letërkëmbimeve të herëpashershme që kemi pasur me dikasterin përgjegjës në Ministrinë e Brendshme për këtë çështje. Së pari, ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë të dhëna të plota, jo të dhëna të deformuara dhe të falsifikuara si këto që na janë dhënë sot, sepse mbi bazën e atyre të dhënave, ne do të kemi mundësi që të gjykojmë realisht mbi riskun dhe situatën konkrete lidhur me çështjen e kartave të identitetit. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, natyrisht, mbi bazën e këtij informacioni, ndjekjes së pandërprerë dhe një sistemi të plotë monitorimi që ne kemi në terren, në një moment shumë të përshtatshëm dhe të afërt, ne do të marrim vendimet përkatëse politike. Natyrisht nuk përjashtohet asnjë opsion”, u shpreh Xhafaj dje në Prokurorinë e Tiranës pas dorëzimit të tre kallëzimeve penale për çështjen e kartave. Sipas tij, “socialistët nuk do të lënë asnjë qytetar që të mos i jepet mundësia në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit për të ushtruar të drejtën e votës”.
Padia penale
Partia Socialiste dorëzoi dje në Prokurorinë e Tiranës tre kallëzime penale lidhur me procesin e kartave të identitetit. Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, sqaroi se një kallëzim është bërë ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, që sipas PS-së manipuluan të dhënat në dokumentet zyrtare për kartat. Xhafaj thekson më pas se kallëzimi i dytë ndaj një funksionari të PD-se që shet kupona në këmbim të votës dhe i treti për një shtetas që ka falsifikuar një kartë identiteti. “Kemi depozituar sot tre kallëzime penale, një kallëzim që ka të bëjë me manipulimin e kartës që është bërë nga një shtetas, një kallëzim tjetër ka të bëjë me një funksionar të PD-së që shet kupona në këmbim të votës dhe e treta ka të bëjë me një fakt shumë të njohur, me akuzën që ne kemi për falsifikim të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare nga struktura të Ministrisë së Brendshme”, u shpreh Xhafaj për mediat pas dorëzimit që u bëri padive në Prokurorinë e Tiranës. Sipas tij, tre kallëzimet penale që depozitoi sot në Prokurori janë prova për pasigurinë e votës më 28 qershor. “Nga ana e njërit prej shtetasve, i identifikuar si sekretar lokal i Partisë Demokratike, si dhe e personave të tjerë të paidentifikuar, në bashkëpunim, janë kryer veprime të kundërligjshme, duke u konsumuar elementët e figurës të veprës penale, ‘Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve’”, u shpreh Xhafaj për një nga paditë e tij në adresë të përfaqësuesit të PD-së. Sekretari socialist tha dje se ky qëndrim merret për të reaguar ndaj ‘Al Kaponeve’ që duan të manipulojnë zgjedhjet.
Ministrisë
PS ka bërë padi penale për të dhëna të rreme dhe të manipuluara ndaj funksionarëve të Ministrisë së Brendshme. Funksionarë të kësaj ministrie, kanë vënë në dispozicion të subjekteve politikë, listat e votuesve pa pasaportë në formë elektronike. Kjo listë përmban 729.030 emra votuesish. Në datën 05.05.2009 me shkresën nr.3457 dt.05.05.2009 nga subjektet e kallëzuar është publikuar një kopje elektronike e listës së votuesve pa pasaportë, që kishin mbetur pa aplikuar deri në dt.01.05.2009. Nga verifikimi që iu bë kësaj liste, rezultoi se numri i personave, që nuk kishin aplikuar për letërnjoftim, deri në datën 01.05.2009 ishte 605.586 votues. Nga ballafaqimi i dy listave të listës me 729.030 emra dhe listës së dërguar më dt.05.05.2009, rezulton se 51.605 votues nuk figuronin në listat e votuesve pa pasaportë prej 729.030. Shpërdorimi i detyrës i kryer në bashkëpunim, është parashikuar si krim nga nenet 248, 25 të Kodit Penal.
Funksionarit të PD
PS ngre kallzim penal ndaj një funksionari të PD-së, i cili ka shpërndarë kupona falas në këmbim të votës për Partinë Demokratike. Në një emision publik televiziv është paraqitur fakti që një sekretar lokal i Partisë Demokratike, kundrejt detyrimit për të votuar në favor të Partisë Demokratike, u ka premtuar shtetasve të ndryshëm pajisjen me kuponë të kartave të identitetit, falas. Për veprimtarinë kriminale të subjektit me detyra funksionale pranë organizmave të PD-së dhe të subjekteve të tjerë bashkëpunëtorë të tij, në kryerjen e veprës penale të dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve, kemi ardhur në dijeni pas konsumimit prej tyre të veprimeve të paligjshme dhe publikimit në emisione televizive. Kundërligjshmëria e faktit dhe cenimi i të drejtës gjejnë mbrojtje nga baza ligjore e kallëzimit, nenet 25, 328 të Kodit Penal.
Falsifikim karte
Socialistët akuzojnë nëpunës publikë kanë lejuar nxjerrjen e disa kartave të identitetit në qarqe të ndryshme për të njëjtin person. Persona fizikë dhe nëpunës publik, kanë kryer veprime me dashje ose nga pakujdesia, të cilat synojnë nxjerrjen e disa kartave të identitetit, për të njëjtin person. Në një datë të papërcaktuar pas datës 01.04.2009, një shtetas i paidentifikuar ka aplikuar, jo më pak se katër herë, për të marrë kartën e identitetit. Ai ka arritur të realizojë aplikime në disa qarqe, duke i mundësuar vetes, veç të tjerave, të votojë jo më pak se katër herë. Fakti është bërë publik nga Televizioni “Vizion Plus”. Sipas socialistëve, kemi të bëjmë me vepër penale të falsifikimit të dokumentit, falsifikimit të pasaportave si dhe falsifikimit të dokumenteve zgjedhorë. Falsifikimi i dokumenteve zyrtare, i kryer në bashkëpunim, i parashikuar si krim nga nenet 186/2,3 të Kodit Penal.