PD: Raporti për mediat u keqinterpretua
Partia Demokratike reagoi dje për raportin e "Reporterët pa kufij", i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 88-të, i fundit mes vendeve të Ballkanit. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, tha se raporti është keqinterpretuar dhe deformuar prej të njëjtëve individë e klane që çdo ditë raportojnë të pavërtetën mbi situatën në Shqipëri. "Janë të njëjtat klane e të njëjtët individë që çdo ditë përpiqen të ngjallin katastrofizëm e panik në mediat që sundojnë, duke abuzuar me kohën, emocionet, intelektin dhe paratë e shqiptarëve. Duke pasqyruar të pavërtetën, madje të kundërtën e së vërtetës, për qëllime e parime krejtësisht të kundërta me ato mbi të cilat duhet të mbështesë misionin e saj një media e lirë, në një vend të lirë, informimin e paanshëm të opinionit publik", tha ajo. Mëhilli vuri në dukje se raporti përcjell një mesazh të qartë për të gjithë editorialistët, botuesit dhe pronarët e medias në Shqipëri për shkak se njihet shantazhi ose ankandi i ashtuquajtur leje ndërtimi e barabartë me kohë televizive, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, është ideatori dhe ndërtuesi i këtij tregu të turpshëm.