E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Bregut: Përgatit kalendar pune për ministrat

Qeveria shqiptare nis të zbatojë detyrat që rrjedhin nga Bashkimi Europian për integrimin. Këshilli i Ministrave miratoi dje ngritjen e 26 kabinave të kontrollit në pikat kufitare, si kërkesë e BE-së për ruajtjen e kufirit. Brenda 30 nëntorit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të bëjë blerjen dhe instalimin e 26 kabinave të kontrollit. Fondi limit që do të merret nga Drejtoria e Doganave kap shifrën 18 milionë lekë. Kryeministri Berisha e cilësoi Raportin e Progresit të Shqipërisë nga KE-ja si një dokument të shkëlqyer pune për qeverinë shqiptare. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, është ngarkuar nga Kryeministri Berisha të bëjë një kalendar pune për të gjitha ministritë, ashtu si një vit më parë. Nëpërmjet këtij kalendari, të gjithë ministrat do t‘i kenë më të qarta të gjitha detyrat që rrjedhin nga progres-raporti. Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha u kushtoi një vëmendje të veçantë detyrave që ministrat duhet të përmbushin për integrimin e vendit në BE. Kryeministri e konsideroi progres-raportin 2009 si raportin më të mirë të lëshuar për Shqipërinë, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në vlerësimet që raporti i bën demokracisë në vend dhe procesit të fundit zgjedhor. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha theksoi se raporti dëshmon që në Shqipëri demokracia funksionon dhe vlerësimi që i bëhet procesit zgjedhor në vendin tonë është unik. "Në raportin e KE-së, bazuar në raportin e watchdog-ut ndërkombëtar, OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Europës, rezulton se zgjedhjet në Shqipëri përmbushën zotimet kryesore të OSBE-së, kushti më kryesor ky për një demokraci funksionuese. Në këtë kontekst, Shqipëria del nga lista e vendeve ku renditej më parë me zgjedhje problematike, me zgjedhje që përmbushnin vetëm pjesërisht standardet, ose me zgjedhje që nuk përmbushnin standarde", tha Berisha. Sipas Kryeministrit, "raporti dëshmon se në Shqipëri demokracia funksionon dhe vlerësimi që i bëhet procesit zgjedhor në vendin tonë është unik, i pari i këtij lloji, në dallim nga të gjitha raportet e tjera dhe përbën një arritje të madhe për çdo qytetar shqiptar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›