Starova dhe Spahia emërohen zv.ministra të Mbrojtjes
Qeveria zyrtarizoi dje tre emrat e radhës për postet e zëvendësministrave. Kryeministri Sali Berisha, dy poste të tilla ua ka ofruar aleatëve dhe një Partisë Demokratike. Kreu i PLL-së, Ekrem Spahia, është spostuar nga Ministria e Kulturës në atë të Mbrojtjes. Kryetari i Lëvizjes së Legalitetit është emëruar dje zv/ministër i Mbrojtjes, duke zëvendësuar Petrit Karabinën nga posti që mban prej katër vjetësh në këtë ministri. Në të njëjtën detyrë, në Ministrinë e Mbrojtjes, ka shkuar edhe kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova. I ngelur jashtë Parlamentit pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Starova përfiton një vend dytësor në kabinetin qeveritar. Dashnor Bajaziti emërohet zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Petrit Karabina është shkarkuar nga posti i zv/ministrit, ndërkohë që Zana Zhuka vazhdon të qëndrojë në këtë post, duke e kompletuar Ministrinë e Mbrojtjes me tre zv/ministra. Maratona e përcaktimit të zv/ministrave do të vazhdojë edhe në mbledhjet e ardhshme të qeverisë, ku vlen të theksohet se një pjesë e mirë e aleatëve nuk kanë marrë ende një shpërblim të parapremtuar në kabinetin qeveritar. Lufter Xhuveli, Nikollë Lesi, por edhe një pjesë e mirë e aleatëve me të cilët Partia Demokratike doli në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk kanë marrë ende një post zv.ministri për votat që partitë e tyre i kanë kaluar për llogari të PD-së në rezultatin final. Partia Agrare, e cila mori në zgjedhje mbi 13 mijë vota në rang kombëtar, nuk ka ende asnjë përfaqësues në rang ministrash. Po kështu edhe Lidhja Demokristiane, e cila u dhuroi demokratëve mbi 6 mijë vota. Të gjitha vendimet u morën me propozim të Kryeministrit Berisha, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.01.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave".
E.A.
E.A.