PD: Rezultati i KQZ me 7 vota
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PD pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli vlerësoi faktin se në 17 vitet e fundit, për herë të parë rezultati përfundimtar certifikohet në një kohë kaq të shpejtë. “KQZ, për herë të parë në 17 vitet e fundit, me një votim 7 me 0 miratoi rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Votimi unanim nga 7 anëtarët e KQZ-së të propozuar nga i tërë spektri politik i vendit përbën një arritje të madhe dhe një standard të ri, që nuk ka ekzistuar më parë në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Mëhilli. “Rama duhet të frymëzohet nga fryma konsensuale dhe e bashkëpunimit luajal ndaj ligjit, e bashkëpunimit të mijëra komisionerëve në qendrat e votimit dhe numërimit të votave, frymë e cila u pasqyrua sot tërësisht edhe me votimin unanim të KQZ për 140 mandatet e dala nga zgjedhjet e 28 qershorit”, vijoi më tej zëdhënësja e PD.