E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nuk njohim zgjedhjet,KQZ u kthye në celulë të PD

 

Partia Socialiste përsërit qëndrimin për të mos njohur zgjedhjet e 28 qershorit, pas manipulimeve të vërejtura, sipas saj, gjatë gjithë procesit elektoral. Pak orë pasi KQZ-ja miratoi me shtatë vota pro rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, përfaqësuesi i PS-së në këtë institucion, Genci Gjonçaj doli në një konferencë për shtyp ku paralajmëroi se selia rozë nuk do të pranojë një rezultat të deformuar. “Partia Socialiste përsërit me forcë se ajo nuk do të njohë asnjë rezultat të deformuar zgjedhor, sepse ajo nuk mund të pranojë deformimin e nesërm të së gjithë institucioneve derivuese nga vota e shqiptarëve”, u shpreh Gjonçaj. Sipas tij “Partia Socialiste ka identifikuar rrugët dhe mjetet politike dhe ligjore, brenda dhe jashtë vendit për të vazhduar këtë betejë, e cila nuk është thjesht beteja e një partie politike, të cilës korrupsioni politik qeverisës i ka grabitur votat dhe për më tepër nuk i ka lejuar transparencën e kërkuar për votat e marra nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi, por është një betejë për të vërtetën, një betejë për Shqipërinë evropiane, një betejë për fatet e demokracisë së nesërme në vend”. Përfaqësuesi ligjor i PS-së, në KQZ akuzoi institucionin e administrimit të procesit elektoral se gjatë gjithë funksionimit të tij nuk luajti rolin e arbitrit për zgjedhjet e 28 qershorit, por u kthye në një celulë të Partisë Demokratike në pushtet. “Fatkeqësisht ky komision nuk përmbushi detyrat e tij dhe fatkeqësisht ky komision mbeti thjesht e vetëm një instrument në duart e pushtetit politik të PD, pa u mundur të shkëputet, duke pranuar në verbëri të bëhet një instrument kukullash politike në duar e kryeministrit”, theksoi Gjonçaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›