E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KQZ e ndarë për standardet

 

BLEDAR HOTI

Drejtuesit e KQZ-së, Arben Ristani dhe Dëshira Subashi janë të ndarë në qëndrimet e tyre në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Ndërsa kreu i KQZ-së, Arben Ristani i cilëson këto zgjedhje si arritje të standardeve, nënkryetarja Dëshira Subashi ka qenë më e rezervuar në dhënien e vlerësimit, duke deklaruar se është në pritje të daljes së raportit përfundimtar të OSBE-së dhe ODIHR-it. Kryekomisioneri në daljen para mediave pas shpalljes së rezultatit përfundimtar deklaroi se “faktet tregojnë se ky është procesi më transparent që kemi pasur”. “Duhet të kemi besim se ka qenë një proces i ndershëm dhe i barabartë. Është një nga proceset më mira të zhvilluara në zgjedhjet e fundit”, tha Ristani. Për sa i përket arritjes së standardeve, kreu i KQZ-së theksoi se “për vlerësimet e tyre janë ato ligjore që kanë të bëjnë me lirinë e zgjedhjeve, barazinë e tyre, ndershmërinë e tyre dhe unë mendoj se personalisht këto janë absolutisht të arritura”. Por nënkryetarja e KQZ-së, Subashi ndan mendimin se në këto 6 muaj puna e shtatë anëtarëve është karakterizuar nga tonet e larta dhe debatet, gjë që ka ndikuar në moskryerjen e një pune komode. “Dua ta përmbyll fjalën time se puna e KQZ-së ka qenë e konsiderueshme dhe aq sa e lodhshme. Për sa i përket vlerësimit të punës sonë dua të them se pres vlerësimet përfundimtare të vëzhguesve të huaj dhe vendas, të cilët certifikojnë zgjedhjet tona. Mendoj se raporti i tyre do të jetë edhe nota e punës sonë”, deklaroi Subashi. Kësaj deklarate i është kundërvënë në mbledhje anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, i cili deklaroi se “këto kanë qenë zgjedhjet më të lira, më demokratike dhe më transparente që janë zhvilluar ndonjëherë”.
Kryekomisioneri në lidhje me akuzat e ngritura nga ana e PS-së, theksoi se “vlerësimi më i mirë i punës së KQZ-së ka qenë vendimet e dhëna nga ana e Kolegjit”. “Vendimet e KQZ, që ishin disa qindra, u ankimuan shumë pak në periudhën para zgjedhore dhe vetëm dy prej tyre u cenuan nga Kolegji Zgjedhor. Ndërsa, për sa i përket ankimeve pas zgjedhore, nga 7 vendime të KQZ-së, objekt ankimi në Kolegjin Zgjedhor, vetëm një prej tyre u ndryshua pjesërisht. Përfundimi i procesit zgjedhor ndodhi brenda afatit ligjor dhe dukshëm shumë më shpejt se në të gjitha zgjedhjet e tjera”, tha Ristani. Ai theksoi se ky proces nxori në pah kryesisht këto probleme: “Bashkëpunimi me pushtetin vendor rezultoi jofrytdhënës. Kërkohet prej tyre një angazhim më i madh dhe përgjegjësi maksimale për realizimin e detyrimeve që u ngarkon Kodi Zgjedhor”. “Subjektet zgjedhore propozuan me shumë vonesë anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe për rrjedhim trajnimi i tyre, në disa raste, ishte i mangët ose nuk u arrit të zhvillohej. Kjo problematikë nuk po arrin të përmirësohet nga zgjedhjet në zgjedhje”, tha kreu i KQZ-së. Sipas tij, disa vende të votimit dhe të numërimit të votave mund të ishin përzgjedhur më mirë dhe në kohën e duhur dhe procesi i numërimit të votave u vonua më tepër se sa parashikohej. “Në këtë drejtim besojmë se ka vend për ndonjë ndryshim tjetër të mundshëm ligjor. Besoj se ka nevojë për përmirësime ligjore në të ardhmen”, përfundoi Ristani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›