PD: Simpatizanti PS qëlloi me armë aktivistin tonë
DURRES- Partia Demokratike në rrethin e Durrësit denoncon sulmin ndaj një aktivisti të saj. Sipas degës PD, dje paradite (të premten) 25 vjecari Artan Zeka nga Qerreti i Durrësit është plagosur me armë zjarri nga një simpatizant i PS-së, teksa vendoste flamuj dhe postera të partisë së tij.
Kandidati për deputet i PD-së në qarkun e Durrësit Ferdinand Xhaferri ka vizituar të riun i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit. Në një prononcim për median Xhaferri e cilësoi ngjarjen si mjaft të rëndë dhe tregues i mentalitetit të krahut të majtë të politikës shqiptare. Sipas Xhaferrit, Artan Zeka është plagosur me automatik në bark, teksa po vendoste në mënyrë paqësore flamurët dhe posterat e Partisë Demokratike pranë një lokali në fshatin e tij Qerret”.
Më tej deputeti Xhaferraj vlerësoi ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, të cilat kanë bllokuar autorin e krimit, Skënder Balla, aktivist i PS-së. Prefekti i qarkut të Durrësit, Klodjan Pajuni tha për mediat se mjekët po tregojnë kujdes të veçantë në mjekimin e 25 vjeçarit Zek dhe po diskutohet transportimi i tij me avion, në një nga spitalet e specializuara të vendeve fqinje.
(s.g/BalkanWeb)