PD, Skuqi: Marrja në mbrojtje e shtëpisë muze, s’ka lidhje me strehimin e Ramës Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Skuqi, përcolli sot shqetësimin e banorëve të Pezës për zënien e shtëpisë-muze të Konferencës së Pezës dhe denoncoi qëndrimin e deputetit Dash Peza ndaj moszbatimit të ligjit. Në një komunikim për mediat nga Kryesia e Kuvendit, deputeti demokrat tha se ka qenë premtimi i tij elektoral që atë shtëpi ta shndërroja në shtëpi-muze, duke ia kthyer atë banorëve të Pezës dhe mbarë Shqipërisë. “Ajo që ndodhi para disa ditësh, ku Dash Peza pengoi zbatimin e vendimit të qeverisë për marrjen në mbrojtje të kësaj shtëpie, përbën një akt të rëndë dhe ofendim për vet ngjarjen historike si dhe për banorët e Pezës dhe të gjithë Shqipërisë”, vlerësoi Skuqi. Ai garantoi qytetarët e Pezës se asgjë nuk do të pengojë përpjekjet e tij në shndërrimin e këtij objekti në muze, në nderim të përpjekjeve të popullit të Pezës dhe të gjithë Shqipërisë për liri dhe bashkim. Gjithashtu, zyrtari demokrat denoncoi publikisht përpjekjet e disa mediave për ta paraqitur këtë akt si një atak të qeverisë ndaj shtëpisë së banimit të deputetit të PS dhe banorëve të tjerë. “Theksoj edhe njëherë se vendimi i qeverisë për marrjen në mbrojtje të shtëpisë muze nuk ka asnjë lidhje me strehimin dhe banesën e zotit Rama. Çdo përpjekje për ta lidhur me këtë çështje është vetëm një mashtrim i paskrupullt dhe i pabazë sepse mua as më ka interesuar dhe intereson ndonjëherë strehimi apo banesa e zotit Rama”, u shpreh Luan Skuqi.