E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Tirana duhet të çlirohet nga pengmarrja e Edi Ramës

Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës, mbështesin nismën e kryeministrit Berisha për restaurimin e sheshit “Skënderbej”, por antitiranasi në krye të bashkisë rrethon sheshin qendror të kryeqytetit, duke shpallur synimet e tij për guerrile të turpshme edhe në shekullin XXI

Grupi i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në bashkinë e Tiranës përshëndet angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërhyrë sa më parë në përmirësimin e infrastrukturës në sheshin qendror të kryeqytetit.
Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Ferdinand Poni u shpreh se ndërhyrja e qeverisë dhe me kontribut të veçantë të vetë kryeministrit Sali Berisha, është e vetmja shpresë për të çliruar këtë hapësirë publike nga skamja infrastrukturore dhe njëherazi për të dhënë një mesazh të qartë se Tirana nuk mund të mbetet peng i pengmarrjes politike të kryetarit të detyrë, Edi Rama dhe klaneve mafioze me në krye Koço Kokëdhimën.
“Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike, mbështet fuqimisht iniciativën e Qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Berisha për ndihmën dhe kontributin për t’i dhënë fund gjendjes katastrofike në sheshin qendror të kryeqytetit dhe të shqiptarëve në sheshin ‘Skënderbej’. Kjo gjendje e mjerueshme e sheshit ‘Skënderbej’ e denoncuar sa e sa herë nga këshilltarët e bashkisë së Tiranës është krijuar për shkak të nënshtrimit të Edi Ramës ndaj politikës dhe klaneve mafioze të Kokëdhimës e kompani. Aq i turpshëm e dëmtues është ky nënshtrim sa ka devijuar, ka penguar edhe vetë planin francez të shpallur e proklamuar me aq bujë nga Rama”, u shpreh Poni.
Këshilltari i PD-së në bashkinë e Tiranës dhe njëherazi zëvendësministër i Brendshëm, Ferdinand Poni, lajmëroi se “në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak, që do thërrasim, ne do të solidarizohemi edhe formalisht e juridikisht me këtë kontribut të qeverisë shqiptare, për qytetarët e Tiranës, për qytetarët e Shqipërisë; për t’i larguar ata nga purgatori apo ferri i Ramës dhe shoqërive të tij, (alias Kokëdhimës) të ndërtimit e interesit.
Punimet në sheshin qendror të kryeqytetit pritet të nisin brenda një jave. Grupi i ekspertëve të Ministrisë së Punëve Publike dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, përfundoi dje matjet topografike dhe përcolli lajmin e mirë se brenda një kohe të shkurtër punimet për përmirësimin e infrastrukturës së sheshit “Skënderbej” do t’i kthejnë kësaj hapësire të rëndësishme “fytyrën” e vërtetë. I gjendur para një gjyqi publik të qytetarëve dhe para rrezikut që të mos merret bakshishi i planifikuar nga fondi kuvajtjan prej 10 milionë dollarësh, Edi Rama ka urdhëruar mbrëmë natën kalecët e tij të policisë bashkiake që të rrethojnë Sheshin “Skënderbej”, megjithatë masa ngjan më shumë si një betejë guerrile e mbetur në tentativë, pasi tashmë është marrë vesh mungesa e vullnetit të bashkisë së Tiranës për të rikonstruktuar sheshin kryesor të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›