Deputetët e LMN: “Edi Rama po i bën protestat për të bllokuar heqjen e vizave”

Deputetët e Mendimit Ndryshe në PS kanë zhvilluar debate të ashpra në asamblenë socialiste me kryesocialistin në detyrë dhe e kanë denoncuar platformën e protestave si një strategji për të bllokuar heqjen e vizave për shqiptarët
Asambleja kombëtare socialiste degradoi sërish edhe në mbledhjen e djeshme, teksa deputetët e selisë rozë i janë nënshtruar edhe njëherë diktatit hitlerist të Edvin Kristaq Ramës, duke vendosur rinisjen e lëvizjes haxhiqamiliste rrugëve të vendit dhe frekuentimin e Kuvendit me kohë të pjesshme. Klika e Edvin Ramës dhe klanit pasanik të 30 deputetëve të grupit parlamentar ka faktorizuar qëndrimin destruktiv ndaj parlamentit dhe jetës politike në Shqipëri. Ky qëndrim i Edi Ramës, nuk ka kaluar pa kritika e akuza nga anëtar të Asamblesë, por edhe deputetët të PS-së.
Por, përkundrejt qëndrimit kundërshtues të disa prej anëtarëve të Asamblesë socialiste, dhe deputetëve të grupit parlamentar, në kah të kundërt shkon kryetari part-time i socialistëve dhe bashkisë i cili në fjalën e tij, ka përsëritur bojkotin si një qëndrim unik dhe të palëkundur.
Mbledhja e asamblesë kombëtare të socialistëve është shoqëruar edhe këtë herë me debate të ashpra. Jo të paktë kanë qenë zërat që kanë dalë kundër vendimit për të rifilluar protestat, ndërkohë në anën tjetër konfirmohen marrëdhëniet e kushtëzuara me parlamentin. Ndryshimet e pritshme të statutit të Partisë Socialiste, procedurë kjo që pritet të zbatohet në mes të muajit të ardhshëm, ka rikthyer tek Edvini frikën e lindjes së fraksioneve të brendshme në parti, çka do të sillte shporrjen e tij nga drejtimi i PS-së.
Akuza të rënda të deputetëve të LMN
Deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe kanë akuzuar ashpër dje kryesocialistin në detyrë, duke e quajtur si të infiltruar në qarkun e ngushtë antikombëtar, për të penalizuar liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë dhe nxirjen e imazhit të Shqipërisë, për të mos marrë statusin kandidat në BE.
Gjatë mbledhjes së asamblesë kombëtare socialiste, deputetët e LMN-së Ben Blushi dhe Andis Harasani iu referuan vendimit, për rifillimin e protestave në mbarë vendin, duke i kërkuar shpjegime kryesocialistit në detyrë, për arsyet e marrjes së një vendimi tejet absurd, në kushtet kur Shqipëria po përgatitet për heqjen e vizave të qytetarëve të saj me vendet e Bashkimit Evropian dhe njëherazi marrjen e statusit kandidat, pas dorëzimit të pyetësorit, proces ky që finalizohet brenda vjeshtës së këtij viti...
Por, qëndrimi i Edvinit ka qenë shpërfillës dhe për kundrejt të gjithave, mësohet se ka fyer deputetët kritikë ndaj tij, përmes përdorimit të një fjalori banal dhe të fryrë me dhunë të egër verbale, jo vetëm deri në përjashtimin nga radhët e partisë, por edhe kërcënime personale drejtuar deputetëve, sepse këta të 5-të po i sjellin probleme në rrugëtimin e tij ogurzi, për destabilizimin politik dhe njëherazi nxirjen e imazhit të Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve, për të mos përfituar kështu nga heqja e vizave.
E drejta e deputetëve të zgjedhur nga populli dhe nisur edhe nga detyrimet e tyre ndaj elektoratit, për të mësuar mbi logjikën e këtyre protestave dhe vendosjen zyrtarisht të marrëdhënieve të kushtëzuara me parlamentin, ndeshi në një ‘ferr’ përgjigjesh kërcënuese nga Edvini, i cili mësohet të ketë thënë se nuk i interesojnë këta 5 deputetë në “ikje e sipër” por as procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Në morinë e këtij fjalori anormal për një lider politik, më tepër akoma të kreut të forcës më të madhe në opozitë, deputetët e LMN-së janë detyruar të “injorojnë” vendimin e asamblesë për të rinisur protestat popullore.
Kësisoj, nuk ka më dyshime se roli i Edvinit është në shërbim të projekteve dashakeqe në vijim të lobimit antishqiptar, me synimin e vetëm, heqjen e Shqipërisë nga lista e bardhë e axhendës së Brukselit dhe futjen e vendit në një terr të plotë disinformues.
Zëra edhe kundër bojkotit të Kuvendit
Debatet e ashpra që shoqëruan punimet e asamblesë vunë në pah fraksionet e ‘egra’ të cilat i hapin punë projektit ogurzi për nxirjen e faqes së vendit, përmes atyre pseudo protestave të paralajmëruar dhe njëherazi mos marrjen pjesë në punimet më të rëndësishme të Kuvendit të Shqipërisë.
Kësisoj, anëtarë të Asamblesë Kombëtare të socialistëve shprehen kundër vendimit të marrë prej aty, ku thuhet se në parlament do të shkohet pjesërisht dhe vetëm për të kërkuar hapjen e kutive.
Një nga anëtarët e Asamblesë Servet Pëllumbi deklaroi se është e gabuar strategjia e Ramës, për të shkuar në parlament me kohë të pjesshme. Ai u shpreh se socialistët duhet të aplikojnë marrëdhënie të plota me parlamentin dhe se nuk duhet të kushtëzohen ndaj dialogut të parlamentit.
“Protestat për opozitën janë të domosdoshme. Qëndrimi im ka qenë që bojkoti e ka realizuar tashmë synimin e vet dhe këtej e tutje Partia Socialiste duhet të mbajë një qëndrim shumë më aktiv në parlament dhe nëpërmjet luftës parlamentare, të tregojë se ku qëndrojnë problemet e demokracisë shqiptare”, u shpreh Pëllumbi.
Edhe deputeti i Partisë Socialiste dhe përfaqësuesi i Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, Arben Malaj, është shprehur kundër bojkotit të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
“Dje disa kolegë përdorën edhe shifra që deri në 80% e anëtarëve të organizatave kërkojnë bojkotin e përhershëm të parlamentit. Kjo frymë e godet Partinë Socialiste në avantazhin e saj publike. Anëtarësia e PS përfshin njerëz me vlera njerëzore, njerëz të përkushtuar dhe njerëz të arsimuar”, u shpreh Malaj.
Ai shtoi se ka pasur përpjekje për të zvogëluar dhe kërcënuar zërin opozitar brenda Partisë Socialiste, dhe se sipas tij kjo parti nuk duhet të përfaqësojë vetëm interesat e një shtrese, por të të gjithave, duke qenë një parti multi përfaqësuese.
Ai vazhdoi se protestat nuk duhet të jenë fillimi por një harmonizim i reagimit tonë publik, duke nisur me ndërprerjen e bojkotit. Pjesëmarrjen në parlament nuk e kërkoj si fasade për qeverinë por si detyrim politik për të arritur brenda institucioneve transparencën e votës dhe ndaljen përfundimtare të vjedhjes së tyre.