Në PS rinis lëvizja “Rama ik”, kërkohet riaktivizimi në politikë i Fatos Nanos

Ylli Manjani braktis punimet e Asamblesë Kombëtare
Socialistët janë kthyer në kërkim të Fatos Nanos. Deklarata për rikthimin e ish-kryetarit është bërë dje nga anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Ylli Manjani.
Manjani deklaroi për mediat, pas debateve në Asamblenë Kombëtare se Partia Socialiste duhet të drejtohet nga ish kreu, lideri historik i saj, Fatos Nano.
Ai ka thënë se rikthimi i tij, do të ishte zgjidhja më e mirë për Partinë Socialiste, “sepse standardet që ai vendosi në këtë parti ishin më të mirat, si në statut dhe në drejtimin e partisë”.
“Kjo nuk ishte një mbledhje e Asamblesë, por ishte një konferencë për shtyp e kryetarit të partisë. Duhet ta kuptojnë të gjithë që Partia Socialiste, sot, më shumë se kurrë ka vendosur që të dalë jashtë sistemit, ka vendosur të dalë jashtë rrugës së demokratizimit institucional. Partia Socialiste, për fatin e keq nuk ekziston më. Ajo është në një kaos politik dhe organizativ. Partia Socialiste është në limitet e fundit të saj, të ekzistencës së saj, sepse ajo po shkon drejt shuarjes, për fatin e keq. Dhe në këtë këndvështrim, mendoj se është koha që investime dhe kontribute të çmuara në jetën socialiste si p.sh Fatos Nano, duhet të rivihen në lojë. Unë mendoj se është koha që Fatos Nano, pavarësisht llogarive personale, të rikthehet në Partinë Socialiste dhe të rimarrë drejtimin e saj, për të rikthyer shpresën e socialistëve. është koha që Fatos Nano të marrë drejtimin e Partisë Socialiste për ta rikthyer atë në vijën institucionale. Dhe është koha që PS dhe Fatos Nano të mbyllë ciklin e tranzicionit të gjatë që Edi Rama po e mban peng dhe po e zgjat tej çdo limiti”, u shpreh Manjani, pas daljes braktisjes së punimeve të asamblesë kombëtare.
Manjani u shpreh kundër strategjisë së prezantuar nga kryetari Rama. I rreshtuar në krah të kundërshtarëve të kreut në detyrë të PS-së, Manjani ka akuzuar Ramën se ai nuk përfaqëson interesat e socialistëve.
“Ishte një mbledhje, e cila nuk pati axhendë, se çfarë po diskutohet si tematikë, pra, siç e theksova ishte një konferencë për shtyp, duke e thelluar kështu edhe më shumë konfuzionin në radhët e PS-së pas kaosit që i është faturuar nga Rama, i cili nuk përfaqëson interesat e selisë rozë.
Ai deklaroi gjithashtu se PS-ja duhet tu kërkojë falje komisionerëve, pasi ka hedhur prej 6 muajsh vrer kundër tyre për humbjen e zgjedhjeve.
Deklarata erdhi në të njëjtën ditë, kur në Asamblenë e vet Edi Rama shpalli teorinë e revolucionit permanent, me bashkimin e partisë së tij me çfarë do lloj protestash e aktesh subversive, mjaft që të dëmtohej qeveria e koalicionit të drejtuar nga Sali Berisha.
Edvini njoftoi 30 prillin, si ditën e protestës mbarë qytetare që do të zhvillohet në Tiranë, edhe pse më herët pat shpallur 20 prillin si datë fikse, e cila për simbolistët kujtonte gjithmonë ditëlindjen e Hitlerit, këtij magjistari të së keqes e ndaj të cilit është fort i dhënë edhe kryesocialisti.