Pas skandalit të disa ushtarëve grekë, protesta para ambasadës së Athinës në Tiranë

Greqia kërkon ndjesë për incidentin, premton ndëshkim ndaj përgjegjësve
Jo si herët e tjera, ka shkuar historiku i provokacionit të radhës të ekstremistëve grekë. Pasi e gjithë media dhe politika vendase (përjashto ekstremistët e djathtë të LAOS) e dënuan incidentin dhe autoritetet e Athinës nisën hetimet, duke marrë si masë të parë shkarkimin e admiralit të trupës ushtarake që u përfshi në incident, Ambasadori grek ne Tiranë, Nikos Pazios i kërkon zyrtarisht falje ministrit të Jashtëm shqiptar për aktin fyes të ushtarëve grekë.
Ambasadori theksoi se hetimi për këngët kundër shqiptarëve do të shkojë deri në fund, ndërsa autorët do të ndëshkohen.
Ilir Meta ishte politikani i parë që reagoi menjëherë pas publikimit të videos, një ditë më parë, duke këmbëngulur në domosdoshmërinë për ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë provokues dhe theksoi se ekstremistët duhen izoluar kudo qofshin ata.
Meta shprehu indinjatën e thellë për ngjarjen e rëndë e cila vjen në kundërshti të plotë dhe nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s.
Ndërkohë, dje janë zhvilluar protesta para ambasadës greke në Tiranë. Protesta para ambasadës greke në Tiranë, u zhvillua pas skandalit në ceremoninë festive të pavarësisë së Greqisë, ku gjatë paradës së forcave speciale detare greke janë hedhur thirrje antishqiptare, antiturke dhe antimaqedonase.
Shoqata të ndryshme janë bashkuar në këtë protestë me moton “Greqia, turpi i BE-së”, ndërsa të pranishëm janë edhe deputetët e PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri.
Deklarata e Sekretarit Ekzekutiv të Rojës Bregdetare lidhur me parullat raciste
Falje kërkojnë edhe ushtarakët grekë
“E dënojmë ashpër sjelljen e papranueshme të një grupi të vogël të trupave amfibe të Rojës Bregdetare, të cilët me qëndrimin e tyre gjatë paradës së 25 marsit, ose nga naiviteti për të cilin shpresojmë, ose nga pozicioni i tyre, diçka të cilën as nuk duam ta imagjinojmë, krijuan probleme serioze si për kolegët e tyre në radhët e forcave amfibe, ashtu edhe për Rojën Bregdetare. Por ky incident i vetëm, nuk pasqyron Forcat Komando të Shkatërrimit nënujor në tërësi, të cilët përbëjnë elitën e Rojës Bregdetare. Ata ofrojnë shërbime të nivelit të lartë në situata të tilla si p.sh. lirimin e pengjeve, neutralizimin e pajisjeve shpërthyese etj. Duke përfunduar përsërisim edhe një herë se roli i Federatës sonë është të mos lejojë fenomene të tilla në radhët e trupave të Rojës Bregdetare, që luftojnë në kushte shumë të vështira për të kryer detyrën”.
Ambasadori shqiptar në Athinë Minarolli
“Diplomacia greke më konfirmoi se po merrej me analizimin e çështjes
“Një akt i turpshëm, skandaloz dhe i paprecedent”. Kështu i ka cilësuar ambasadori ynë në Athinë, Vili Minarolli, thirrjet raciste të ushtarëve grekë ndaj shqiptarëve gjatë parade ushtarake në sytë e autoriteteve të larta greke. Përfaqësuesi zyrtar shqiptar në Greqi, ka pohuar se pas këtij akti të rëndë, priten masa të menjëhershme nga ana e qeverisë greke. "Reagimi i qeverisë dhe mediave greke ishte i menjëhershëm. Unë kontaktova me ministrinë e Jashtme dhe na thanë se do merren të gjitha masat për të analizuar çështjen”, sqaroi Minarolli, lidhur me incidentin e rëndë që tronditi publikun shqiptar. Sipas tij, besohet se masat prej palës greke do të merren shumë shpejt dhe ka sqaruar se pala greke e ka dënuar këtë akt, duke dashur të distancohet prej tij.