E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astrit Patozi paralajmëron tubim madhështor të PD-së më 1 Maj

“Nuk do të lejojmë që Edvini ta shndërrojë disfatën e tij personale në dramë kombëtare”

Në një kohë kur opozita e Edvin Ramës paralajmëron për një zvarritje hardhucash nëpër vrimat e politikës së rrënuar të ylberistit, mazhorance kundërpërgjigjet me një festë madhështore më 1 maj, për të nderuar punën e përbashkët të qeverisë dhe të të gjithë shqiptarëve, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Vetëm pak minuta pas vendimit të socialistëve, i marrë në kushte të dhunshme dhe diktati, për të rinisur protestat dhe për t’i përfunduar ato më 30 prill në Tiranë, Partia Demokratike lajmëroi për një tubim madhështor më vetëm një ditë më pas.
Kreu i grupit kuvendor në PD, deputeti Astrit Patozi, u shpreh dje se në një kohë kur kriza e Edi Ramës nuk po njeh limite, shumica është e detyruar të vazhdojë rrugën e prosperitetit dhe të vlerësojë me merita të çmuara progresin reformator të vendit. Patozi tha se PD zyrtarisht sfidon opozitën e degdisur pikërisht në sheshin “Skënderbej”.
“Tashmë është shumë e qartë se Edi Rama është njeriu i krizës në Shqipëri dhe shpresat që i të dalë prej saj, janë thuajse zero. Ne nuk do të lejojmë kurrsesi që Edi Rama ta shndërrojë disfatën e tij personale në një dramë kombëtare. Edi Rama ka paralajmëruar një protestë më 30 prill, e cila pritet të ketë fatin e të tjerëve. Edhe më shpejt mund të kishte bërë, por ne ia kuptojmë hallin për kohën e gjatë që i duhet atij për të mbledhur qoftë edhe një grup njerëzish. Ndërkaq, ne kemi ndërmend të festojmë më 1 maj, me një entuziazëm që Tirana nuk do ta ketë njohur ndonjëherë më parë. Duke ruajtur simbolikën e kësaj date, në këtë festë, do të nderojmë punën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve; lajtmotivin e reformave të kësaj mazhorance; sukseset tona që na kanë bërë të jemi anëtarë të denjë të NATO-s që po mundësojmë liberalizimin e vizave dhe po rrisim shpejtësinë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Patozi.
Përballjet e opozitës më mazhorancën nuk janë tashmë një fakt i panjohur. Partia Demokratike organizoi në ditën e rinisë, më 8 dhjetor të vitit të kaluar, një miting spektakolar në qendër të Tiranës, me mbështetjen e mbi 500 mijë shqiptarëve, duke konfirmuar kështu super madhësinë e saj përballë një partie opozitare, të yshtur pas politikës së rrugës dhe urrejtjes ndaj dialogut parlamentar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›