E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Topalli dhe Patozi rikonfirmohen në Kuvend

 

ADI SHKEMBI

Zbardhen emrat e parë që do të zënë postet kryesore në grupin parlamentar demokrat dhe në kabinetin qeveritar. Në mbledhjen e parë me deputetët e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, Kryeministri Berisha ka rikonfirmuar Astrit Patozin si kryetarin e grupit parlamentar në këtë fillim legjislature. Me emërimin e nënkryetarit të partisë në këtë funksion, bien hipotezat për përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar. Në të njëjtën kohë përjashtohet çdo mundësi që drejtimin e grupit parlamentar ta marrë ministri aktual i Jashtëm Lulzim Basha, i cili mesa duket do të përfshihet në qeveri. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar Kryeministri Berisha ka bërë të ditur se Kuvendi do të ketë tre nënkryetarë, ku një do të jetë i Partisë Demokratike. Burimet bëjnë të ditur se deputeti i Vlorës, Leonard Demi përflitet si emri favorit për të marrë këtë post. Në bazë të marrëveshjes me Partinë Demokratike, një post nënkryetari do ta marrë Lëvizja Socialiste për Integrim, që ka emëruar deputetin e Beratit, Nasip Naço, ndërsa posti i fundit i nënkryetarit do të jetë për Partinë Socialiste, ku emrat që përfliten janë Valentina Leskaj, Arta Dade dhe Ermelinda Meksi. Përsa i përket postit të Kryetarit të Kuvendit, maxhoranca ka përzgjedhur sërish Jozefina Topallin. Grupi parlamentar demokrat do të mbledhë firmat në ditët e ardhshme për ta propozuar nënkryetaren e PD-së në postin që mban prej katër vitesh. Ndërkohë, megjithëse deklaroi pak ditë më parë se ka gati emrat e Qeverisë së re dhe pret vetëm dekretimin nga ana e Presidentit Topi, Kryeministri Berisha ka pranuar dje se formimi i kabinetit nuk do të jetë dhe aq i lehtë. Burimet konfirmojnë sërish se Lulzim Basha, Genc Ruli, Genc Pollo Sokol Olldashi do të ndajnë postet kryesore në Qeverinë e re, por edhe sot ende nuk mund të thuhet se cili do të jetë pozicioni përfundimtar i tyre. Kushtetuta në nenin 96, pika 1, përcakton procedurën e emërimit të Kryeministrit të ri. Sipas saj, duhet që forca që ka rezultuar fituese në zgjedhjet e 28 qershorit, ose koalicioni fitues, që në rastin konkret është “Aleanca e ndryshimit” e kryesuar nga Partia Demokratike duhet të përcaktojë fillimisht emrin e Kryeministrit të ri. Më pas është kreu i shtetit ai që e emëron dhe i hap rrugë formimit të Qeverisë. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në nenin 96, pika 1 e ligjit themeltar të shtetit. Pas emërimit të kreut të Qeverisë, procedura pasardhëse është ajo e formimit të kabinetit qeveritar dhe nxjerrjes e dekretit nga ana a kreut të shtetit. Dekreti i presidentit votohet në Parlament përmes një votimi të vetëm, ku janë të përfshirë programi i Qeverisë, emri i Kryeministrit dhe përbërja e Qeverisë. Qeveria duhet të miratohet në Parlament brenda një periudhe 10 ditore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›