E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, shtatë doganierë në gjyq

 

Trazhgim Sokolaj

Shtatë doganierë, katër prej të cilëve në gjendje arresti dërgohen në gjyq si të pandehur për akuzën e korrupsionit dhe shp-ërdorimit të detyrës me zhdoganimin e 100 makinave të vjedhura. Engjëll Dylgjeri, 48 vjeç, Xhevdet Mali, 48 vjeç, Ylli Sharri, 46 vjeç dhe Olgert Isai, 27 vjeç, të arrestuar më 14 prill 2009 nga Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, janë dërguar në gjyq me akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Dosja penale ndaj tyre është hetuar për 4 muaj nga organi i akuzës, i cili kryesisht ka marrë në pyetje dëshmitarë të abuzimeve dhe ka bllokuar dokumentacionin doganor, me qëllim faktimin e akuzave të ngritura. Bashkë me katër doganierët e arrestuar, në bankën e akuzës pritet të ulen edhe tre kolegë të tyre që janë hetuar në gjendje të lirë. Sipas burimeve zyrtare, të akuzuar në dosje janë edhe Frida Guxia, 56 vjeçe, Sofokli Qose, 42 vjeç dhe Ilmi Karantia, 50 vjeç, të tre të hetuar në masën e sigurimit detyrim paraqitje në policinë gjyqësore. Dosja penale ndaj doganierëve të dyshuar, u hap në muajt e parë të vitit 2009 pas një informacioni të referuar nga Policia e Shtetit, sektori i antikrimit ekonomik dhe korrupsionit. Sipas këtij kallëzimi, në rrugë operative ishin marrë informacione për zhdoganimin abuziv të automjeteve në doganën e Tiranës. Pas informacioneve operative, policia kishte marrë kallëzimin e një qytetari nga Tirana që pretendoi se kishte paguar 5 mijë euro për të kaluar automjetin në doganë por më pas ia kishte bllokuar policia rrugore pasi rezultoi i vjedhur jashtë vendit.
100 makina të vjedhura
Menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga Policia e Shtetit, prokuroria filloi verifikimin e fakteve. Disa prej të arrestuarve u vendosën në përgjim, ndërsa u bllokua dokumentacioni i plotësuar prej tyre në doganën e Tiranës. “Nga shqyrtimi i provave dhe pyetja e disa dëshmitarëve, rezulton se të akuzuarit kanë kaluar me anë të plotësimit fiktiv dhe fals të dokumenteve rreth 100 automjete që dyshohet se janë të vjedhura jashtë vendit”, thanë burimet e akuzës. Bazuar në provat e grumbulluara, më 10 prill 2009 prokuroria iu drejtua gjykatës së kryeqytetit ku kërkoi autorizim për arrestimin e shtatë të dyshuarve. Menjëherë pas miratimit të veprimeve operacionale nga gjykata, doganierët u ndaluan nga policia gjatë aksionit të koduar me emrin “Porosia”. Pas arrestimit të tyre gjykata verifikoi shkallën e implikimit dhe arriti në përfundimin se tre nga doganierët nuk ishte e nevojshme të mbaheshin në paraburgim, duke vendosur ndaj tyre masën “detyrim paraqitje”.
Abuzimi
Sipas prokurorisë, shtatë të akuzuarit në bashkëpunim mes tyre për një periudhë mëse njëvjeçare kanë prodhuar dokumente false me të cilat në rrugë jozyrtare kanë zhdoganuar e më pas pajisur me targa rreth 100 automjete të vjedhura jashtë vendit. Pajisja e mjeteve me dokumente bëhej kundrejt pagesës së shumave të ryshfetit, të cilat varionin nga lloji i makinës. Sipas hetimeve Engjëll Dylgjeri dhe Xhevdet Mali, agjentë doganorë të Tiranës, hetonin rastet e mjeteve të vjedhura e më pas hynin në kontakt me mbajtësit e tyre, duke u afruar mundësinë e “mbylljes” së problemeve kundrejt shumave të ryshfetit. Shumat e paguara në formë ryshfeti varionin nga 3 deri në 5 milionë lekë, ndërsa më pas fitimi ndahej mes të akuzuarve.

Të akuzuarit

1. Engjëll Dylgjeri    48-vjeç     Agjent Doganor, Tiranë

2. Xhevdet Mali     48-vjeç    Agjent Doganor, Tiranë

3. Ylli Sharri     46 vjeç    Komisioner pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, Tiranë

4. Olgert Isa     27 vjeç    Inxhinier pranues Dokumentesh pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, Tiranë

5. Frida Guxia    56 vjeç    Doganiere, Shkodër

6. Sofokli Qose     42 vjeç    Doganier, Tiranë

7. Ilmi Krantia    50 vjeç    Doganier, Tiranë

Arrestimet pas denoncimit të “gjobës” 5 mijë euro

TIRANE – Aktiviteti i doganierëve të dyshuar mund të vazhdonte për shumë kohë nëse një qytetar i Tiranës, viktimë e “manipulimit të dokumenteve” nuk do të drejtohej në Sektorin e Antikrimit Ekonomik për të denoncuar ngjarjen. Ai kishte dhënë 5 mijë euro për zhdoganimin e një automjeti dhe pajisjen e tij me targa, me premtimin e të arrestuarve se askush nuk do t’i nxirrte probleme. Por në më pak se një muaj kohë, automjeti është bllokuar nga Policia Rrugore, pasi ka rezultuar i vjedhur jashtë vendit. “Viktima” i shtatë doganierëve menjëherë është drejtuar në polici duke depozituar kallëzimin penal bashkë me sqarimet përkatëse. Ai u ka sqaruar hetuesve personat me të cilët kishte kontaktuar, mënyrën e tyre të veprimit dhe një sërë detajesh të tjera me vlerë për hetimin. Duke u përqendruar tek tre personat e përmendur nga qytetari në kallëzimin e tij, policia zbuloi më pas edhe implikimin e personave të tjerë, duke zgjeruar rrethin e të dyshuarve në shtatë të tillë. Këta persona janë mbajtur në vëzhgim dhe janë përgjuar në disa raste të tjera abuzimesh të ngjashme, të cilat janë dokumentuar nga organi i akuzës. Më tej hetimi ka vazhduar me procedurat e zakonshme derisa dosja është kompletuar dhe i është dorëzuar sekretarisë së Gjykatës së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›