Tërmeti 7 ballë,166 shtëpi të shkatërruara në komunat e Dibrës
Nga i dërguari ynë HASAN PASHA
Plot 166 shtëpi të shkatërruara, mijëra të dëmtuara e po aq familje që e kanë gdhirë dhe natën e dytë në oborr. Frika nuk u është ndarë banorëve të Dibrës se shtëpitë e çara mund t’i zënë përfund gjatë orëve të natës. Familje të tëra kanë nxjerrë shtresa sa kanë mundur jashtë shtëpive, aty ku pritet të kalojnë dhe ditën e sotme, pas ankthit që shkaktoi tërmeti 7.2 ballësh mbrëmjen e së dielës.
Për rreth 30 vite ky qark, veçanërisht komunat e Bulqizës nuk e kishin ndjerë tmerrin e lëkundjeve nga tërmeti. Por, në pak sekonda atyre iu rikthye në mendje ai i ndodhur në 1967-ën, kur toka u trondit, duke shkaktuar edhe të plagosur rëndë. Pamjet që të servirnin dje komunat Gjoricë, Shupenzë, Ostren, Trebisht, Maqellarë dhe Zerqan ishin rrëqethëse. Mijëra banorë rreth orës 24:00 të së dielës kanë lënë shtëpitë e tyre. Ulërimat, britmat, vaji kanë shoqëruar lëkundjet e tërmetit në epiqendrën e tërmetit, sidomos në komunat Gjoricë e Shupenzë. Mësohet se banorët e fshatrave Gjoricë e Poshtme dhe e Epërme, Cerencen i Poshtëm dhe i Epërm, Viçisht, Lupalesh, Shupenzë, Homesh, Bocevë, Okshatinë, Kovashicë, Topojan, Zogje, Stushe, Gjuras e Mazhicë sapo kanë ndjerë lëkundjet e tërmetit janë zgjuar të lemerisur dhe kanë dalë nga shtëpitë e tyre. Fillimisht ata janë interesuar për njerëzit e tyre të familjes dhe pasi janë siguruar për shëndetin e tyre kanë trokitur tek të afërmit dhe banorët e fshatit për të parë a ka të lënduar. Kryetarët e fshatrave të dëmtuar, kryetarët e njësive vendore, drejtues të Prefekturës Dibër, Drejtorisë Rajonale të Policisë, etj., kanë dalë nga shtëpitë dhe kanë mbërritur shpejt në fshatrat e dëmtuar. Shumë nga familjet e këtyre komunave kanë mundur të nxjerrin nga shtëpitë rroba fjetjeje dhe veshje, sepse vetëm pak kohë pas tërmetit temperaturat kanë pësuar rënie drastike. Ata që kanë pasur makina i kanë strehuar familjarët në këto mjete, ndërkohë të tjerët janë rrekur t’i strehojnë ku të munden, vetëm në shtëpi jo. Kryetarët e komunave Gjoricë e Shupenzë, Xhelal Mera e Muis Llani kanë mbledhur në mënyrë urgjente kryetarët e fshatrave, administratën dhe specialistë të zonës dhe i kanë dërguar për verifikim në të gjitha fshatrat e komunave.
Kryetari i fshatit Koshavicë, Agim Xhafa tha për gazetën “Panorama” se të paktën 70 shtëpi në këtë fshat janë bërë të pabanueshme. “600 banorë kanë dalë në dritën e hënës pasi shtëpitë e tyre janë të pabanueshme. Dëmet janë mjaft të mëdha, por falë Zotit jemi gjallë. U zgjuam nën britmat e njerëzve, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan rëndë. Kurrë fshati ynë nuk ka pasur dëme kaq të mëdha”, pohoi ai. Situata në këtë fshat, majë malit, përballë Maqellarës është kritike. Njerëzit kishin dalë në oborret e shtëpive ose në livadhe. Disa kishin mundur të nxirrnin jashtë divane, dyshekë, batanije, etj.
Berisha në Gjoricë
Rreth orës 15:00 në qendër të fshatit Gjoricë ka mbërritur Kryeministri Sali Berisha. Sapo ka zbritur, ai u përshëndet me të pranishmit me dy gishtat lart dhe në takim me banorët e fshatit të prekur nga tragjedia shprehej: “Mirë se ju gjeta!”. Në një nga lokalet e fshatit u organizua një takim, ku kryeministri deklaroi se duhet të falënderojmë Zotin se tërmeti 7.2 ballë nuk shkaktoi humbje në njerëz. Berisha në këtë takim të improvizuar me drejtues lokalë dhe rajonalë u shpreh se “e rëndësishme është që interesimi i strukturave vendore dhe qendrore ka qenë maksimal”. Në lidhje me dëmet materiale u tha vendorëve se “bashkërisht do t’i zhdukim sa më shpejt”. “Për familjet e dëmtuara jeni të lutur të gjeni shtëpi me qira, ndërkohë do të mendojmë për ngritjen e kampeve me çadra”, ishte porosia kryesore e kreut të qeverisë për kryetarët e komunave Gjoricë e Shupenzë. “Qeveria do t’ju ndihmojë pas vlerësimit objektiv të dëmit. Pas vlerësimit paraprak nga komunat e Prefektura do të ngrihen komisione me ekspertë që do të vlerësojnë dëmin e shkaktuar. Ne do t’ju ndihmojmë sa më shpejt të jetë e mundur”. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehu keqardhjen për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i së dielës mbrëma dhe kërkoi marrjen e masave për të sistemuar të pastrehët. Ndërsa Edi Rama, kryetar i PS-së, kërkoi angazhim nga pushtetarët vendorë socialistë për të dëmtuarit nga tërmeti.
80-vjeçari: Nuk mbaj mend tërmet më të fortë
HASAN PASHA
“A janë të gjithë njerëzit shëndoshë?” “A jeni të gjithë gjallë?” Këto ishin pyetjet e para të Muharrem Xhekës që në orët e para të mëngjesit të djeshëm sapo ai ndeshej me banorë të fshatit të tij, Gjoricë e Dibrës.
Ai është 80 vjeç, ndër banorët më të vjetër të këtij fshati. I kujtohen fare mire tërmetet e fuqishme të vitit 1942 dhe më pas ai i vitit 1967, por i moshuari tregon se tërmeti i dy netëve më parë ishte më i forti që ai mbante mend. “Shtëpia lëkundej si një varkë”, rrëfen 80-vjeçari, i cili e ka gdhirë natën jashtë bashkë me të gjithë familjen. Nipërit e mbesat e tij ende ndodhen në panik. Asnjëri prej tyre nuk guxon t’u afrohet mureve të shtëpisë, të cilat janë gati në të shembur. Askush nuk jep garanci se jeta e tyre është e sigurt brenda atyre mureve, ndaj anëtarët e familjes Xheka janë detyruar të rrinë jashtë, ndonëse dje temperaturat pësuan ulje të konsiderueshme. Tashmë i moshuari kërkon ndihmë nga shteti. Por siç shprehet ai, ata nuk duan vaj e sheqer, por ndihmë konkrete për banesën ku ata të mund të fusin kokën, pasi dimri është thuajse në prag.
Z. Xheka, në ç’orë keni ndjerë lëkundjet e tërmetit dhe si vepruat në momentet e para?
Unë jam 80 vjeç, por nuk kisha dëgjuar një tërmet të tillë. Shtëpia dykatëshe lëkundej fort. Copa tavani ranë mbi divane dhe dyshekët ku flinin nipërit dhe mbesat e mia. Fillimisht askush nuk foli. Kjo zgjati shumë pak. Pastaj dëgjova ulërimat e gruas, vajzës dhe njerëzve që ndodheshin në shtëpi. U zgjova, por mungonte energjia dhe nuk orientohesha dot. Thirra njerëzit dhe i pyeta a ishin gjallë. Fatmirësisht të gjithë mu përgjigjën dhe më thanë se nuk kishin probleme për jetën. U ngrita dhe dorë për dore mora të gjithë pjesëtarët dhe i nxora në oborr. Nuk dallonim asgjë, por lëkundjet, zhurma e madhe, britmat e banorëve të tjerë të lagjes më tronditën thellë.
Po më pas, ku fjetët?
Pas tërmetit nuk besoj të ketë fjetur ndonjë nga banorët e Gjoricës. Nisën lëvizjet në fshat dhe të gjithë pyesnim: “A janë të gjithë njerëzit shëndoshë?” dhe më pas uronin: “Shyqyr që jeni mirë”. Mijëra banorë kanë fjetur në qiell të hapur. Askush nuk guxonte të flinte në shtëpinë e tij. Unë i sistemova fëmijët në një makinë të djalit, sepse pas tërmetit temperatura u ul të paktën me 10 gradë. Bënte ftohtë dhe fëmijët nuk mund të qëndronin jashtë. Në orët e mëngjesit erdhën zyrtarë të komunës dhe na pyetën rreth situatës.
Ju jeni i moshuar, a mbani mend një tërmet të tillë?
Unë jam dëshmitar i tërmetit të vitit 1942 dhe 1967 në fshatin tonë, por si këto lëkundje nuk kam ndjerë kurrë. Gjatë natës kam ndjerë dhe afro 30 lëkundje të tjera. Rrija në oborrin e shtëpisë dhe dëgjoja sesi shtëpia lëkundej si varkë.
Kush është interesuar deri tani për familjen tuaj?
Interesimi ka qenë thjeshtë për të mësuar mbi dëmet. Më thanë se do të vijë Kryeministri dhe do të premtojë diçka për ne. Ne nuk kemi nevojë për vaj e sheqer, ne duam të kemi një shtëpi ku të strehohemi. Mbi të gjithë janë interesuar fëmijët që kemi jashtë vendit. Ata çdo orë pyesin rreth shëndetit të njerëzve dhe na thonë të mos banojmë në shtëpi. Po ashtu njerëzit e afërm që janë larguar nga fshati na kanë pyetur vazhdimisht.
Dëmet në Qarkun Dibër
166 shtëpi të dëmtuara plotësisht
Komuna Gjoricë
• 64 shtëpi të pabanueshme
• Të dëmtuara
1200 shtëpi, 1 qendër shëndetësore, 3 shkolla, 3 kabina
Komuna Shupenzë
• 10 shtëpi të pabanueshme
• 1 mijë shtëpi të dëmtuara
• Komuna Fushë-Bulqizë
• 3 shtëpi të pabanueshme
Komuna Ostren
• 1 shtëpi e pabanueshme
Bashkia Klos
• 3 shtëpi të dëmtuara
Komuna Maqellarë
• 70 banesa të dëmtuara
Komuna Luzni
• 4 shtëpi të dëmtuara
Komuna Muhur
• 9 shtëpi të
dëmtuara
Komuna Lis
• 1 shtëpi
“Tërmeti pati 100 pasgoditje”
Pas tërmetit të regjistruar në Dibër, lëkundje të tjera janë ndier edhe dje. Sipas sizmiologëve, nga mbrëmja e së dielës e deri ditën e djeshme janë regjistruar mbi 100 pasgoditje. Goditja e parë është ndjerë në Gjoricë të Peshkopisë në orën 23:49 të së dielës, vala e së cilës është shpërndarë në të gjithë vendin. Por më pas kjo zonë është përfshirë nga disa dhjetëra pasgoditje të lehta. Goditja më e fundit është ndier dje rreth orës 18:00, por nuk përjashtohej mundësia që edhe gjatë natës të kishte lëkundje të tjera. Sipas specialistëve të Institutit te Sizmiologjisë, tërmeti me epiqendër fshatin Gjoricë të Peshkopisë, por që u ndje në të gjithë vendin ishte mbi 7 ballë dhe thellësia e tij 5 deri në 10 kilometra. Tërmeti u ndje në të gjithë Shqipërinë e mesme e disa qytete të Maqedonisë.
Prefektura: 166 shtëpi të pabanuara
DIBER – Prefektura e Dibrës bën bilancin e parë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, për shtëpitë e shkatërruara plotësisht dhe ato që kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Në një mbledhje urgjente të Shtabit të Emergjencave, në prani dhe të zv.ministrit të Brendshëm dhe shefit të përgjithshëm të Emergjencave, është deklaruar se bëhet fjalë për 166 shtëpi në rang qarku, të pabanuara dhe mijëra të tjera të dëmtuara. Të dëmtuara janë dhe një qendër shëndetësore, 3 shkolla dhe 3 kabina elektrike. Më e rënduar është gjendja në komunën e Gjoricës në Bulqizë. Aty rezultojnë 64 shtëpi të pabanuara, është shembur qendra shëndetësore dhe dëmtuar lehtësisht gati të gjithë shtëpitë e 1200 familjeve. Në Shupenzë janë bërë të pabanueshme 10 shtëpi dhe dëmtuar pjesërisht 1000 të tjera; në Fushë-Bulqizë tre familje kanë mbetur pa shtëpi, në Ostren është dëmtuar totalisht 1 shtëpi, në Zerqan nëntë, në Maqellarë janë dëmtuar pjesërisht 70 banesa, në Luzni katër, në Muhur 9, në Lis të Matit një dhe në Klos janë dëmtuar pjesërisht 3 shtëpi. Këto shifra, Prefekti Xhaferr Seitaj i ka bërë të njohura dhe në raportimin para kryeministrit Berisha. Por, nga ana e tyre, pushtetarët vendorë, të Gjoricës dhe Shupenzës kanë deklaruar shifra më të larta. Kryekomunari i Shupenzës Muis Llani tha se 80 shtëpi janë të pabanueshme, se 222 janë dëmtuar pjesërisht, se është dëmtuar rëndë ndërtesa e komunës dhe tre shkolla të fshatrave. Kryetari i Maqellarës, Fatbardh Agolli pohoi se janë dëmtuar 150 shtëpi dhe se 20 prej tyre po nuk u riparuan janë të pabanueshme. Kryetari i Gjoricës Xhelal Mera kërkoi të paktën 25 çadra për familjet më të dëmtuara, ndërkohë nënvizoi se mbi 60 shtëpi janë bërë të pabanueshme dhe rrezikojnë jetën e banorëve.