E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, Berisha nënshkruan me Mediun

 

Pas marrëveshjes me LSI-në, Partia Demokratike ka nënshkruar dje me Partinë Republikane. Sipas këtij dokumenti të nënshkruar nga Kryeministri Berisha dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, kjo forcë do të marrë një post ministror, atë të Mjedisit si dhe dy zv/ministra. “Unë jam i bindur se të gjitha shtyllat kryesore, programore të dy partive janë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe në një marrëveshje, që sapo firmosëm ne përcaktojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit, nga reforma institucionale, ajo pronësore, tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tek reformat e gjithanshme për të përgatitur Shqipërinë për anëtarësim në BE”, u shpreh Kryeministri Berisha në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjes. Ndërkohë, kreu i republikanëve i është përgjigjur dje në emisionin “Fakt” të gazetarit Çlirim Peka në NTV, akuzave të kryetarit të asamblesë kombëtare, Sabri Godo të bëra dy ditë më parë në një intervistë për gazetën “Panorama”. Përsa i përket mungesës së komunikimit Mediu tha se “zoti Godo nuk ka pasur pozicion honorifik. Nëse ka një gjë që më shqetëson në këtë kohë është njëlloj keqkuptimi sepse çështjet ndërmjet miqsh zgjidhen edhe kur ka keqkuptime. Unë s’kam pasur ndonjë çështje që të jetë shqetësim i jashtëzakonshëm, sepse kemi qenë në periudhë pushimesh. Unë s’kam bërë asnjë negociatë as të fshehtë as jo të fshehtë. Berishën e kam takuar për herë të parë të premten dhe jam njoftuar nga ai në telefon dy orë përpara. Përsa i përket mbledhjes së fundit të kryesisë, zotin Godo e kemi pritur gjysmë ore dhe nuk ka ardhur”. Kreu i PR-së tha se nuk e priste qëndrimin e Godos lidhur me përfshirjen e tij deri në momentin kur të mbyllej procesi gjyqësor i Gërdecit. I pyetur nëse Berisha i kishte kërkuar të mos ishte ai ministër i Mjedisit, Mediu mohoi një deklaratë të tillë. Ndërsa për ministren e Shëndetësisë Anila Godo, Mediu tha se “ajo bëri në fushatën elektorale një spot publicitar me logon ‘Shqipëria po ndryshon’, ndërkohë që kjo ishte logo e PD-së dhe jo e PR-së”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›