Dule: Do qëndrojmë në opozitë, hetim zgjedhjeve
Me gjithë ftesën zyrtare dërguar nga Kryeministri Sali Berisha, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka vendosur të qëndrojë në opozitë. Deklaratën e bëri të ditur dje kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, i cili theksoi gjatë një komunikimi me mediat se i qëndron ende argumenteve, që e detyruan atë të shkëputet nga koalicioni i djathtë në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u shkëput nga koalicioni me Partinë Demokratike, për arsye konkrete dhe ato qëndrojnë sërishmi një vijë e fortë ndarëse mes këtyre dy forcave politike. Nuk janë eklipsuar arsyet pse jemi larguar nga koalicioni dhe nuk ka vend për të rishqyrtuar këtë vendim”, u shpreh Dule. Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Dule vuri theksin tek zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat sipas tij nuk kanë pasur standardet e nevojshme që kërkon një vend anëtar i NATO-s. “PBDNJ konkludoi se nuk mund dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë ballafaqim të ardhshëm zgjedhor, qoftë për pushtetin vendor apo atë politik, nëse zgjedhjet nuk administrohen nga komisione të së gjitha niveleve jo partiake”, u shpreh Dule. Mos përfshirja e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në qeveri, i hap rrugën Kryeministrit Berisha që t’i ofrojë ministrinë e Punës, Kosta Barkës ose Spiro Kserës, dy ish-zyrtarë të partisë të PBDNJ-së të larguar pas përplasjeve me kryetarin Dule për shkak të koalicionit parazgjedhor me PS-në. Ndërkohë, në ditët në vijim PD-ja pritet të mbyllë marrëveshjen e bashkëpunimit edhe me PDI-në.