E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Ultimatumet e Ramës ndaj qeverisë i ka marrë lumi

Zëdhënësja Erla Mëhilli dhe deputeti Aldo Bumçi akuzuan kreun e PS-së

Partia Demokratike, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, deklaroi se kryetari i PS-së, Edi Rama, po vepron si një pasardhës i ish-bllokmenëve, duke mos respektuar ligjin elektoral dhe se nëpërmjet ultimatumeve, po përpiqej të kërcënonte qeverinë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, u shpreh se kërkesat e Ramës për sa i përket transparencës së zgjedhjeve të kaluara bien në kundërshtim të hapur me ligjet e vendit dhe me ato të ligjeve që vetë socialistët kanë votuar. “Partia Demokratike i bën të qartë Edvin Kristaq Ramës se qëndrimi i tij ndaj ligjeve është qëndrimi tipik i bllokmenëve të rinj, që në trashëgiminë e etërve të tyre e konsiderojnë veten mbi ligjet, mbi Kushtetutën, mbi gjykatat”, theksoi zëdhënësja e PD-së për median. Sipas saj, PD-ja e garanton Ramën, se shteti ligjor do të predominojë mbi psikologjinë totalitare. “Në rast se ai ofertat e qeverisë i konverton si një mandat për të ngritur veten mbi ligjet, atëherë do të përballet me to”, vijoj Mëhilli në deklaratën e saj. Nga ana tjetër, ajo drejtoi një sërë pyetjesh për kryetarin e PS-së, duke theksuar se qeveria po i lejon Ramës të ketë shumicën dhe kryetarin në komisionin hetimor, ndonëse asnjë ligj në vend nuk e detyron për këtë veprim. Po dje, deputeti demokrat, Aldo Bumçi, deklaroi se qeverisë nuk po i japin ultimatum ndërkombëtarët, por është vetë kryetari i PS-së, Rama, i cili ka një vit që nëpërmjet ultimatumeve përpiqet të pengojë punën e qeverisë. Por, sipas Bumçit, këto ultimatume kanë përfunduar në lumin Lanë. “Ndaj kësaj mazhorance nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë ultimatum, nga asnjë institucion apo vend i lirë në Europë dhe në botë. Por gjatë një viti, Rama dhe bllokmenët e rinj i kanë lejuar vetes t’i adresojnë një seri ultimatumesh mazhorancës aktuale, por të gjitha ato i mori Lana, kurse autorëve të tyre u mbeti ajo që meritojnë”, theksoi Bumçi në një deklaratë për mediat. Sipas deputetit të PD-së, ultimatume mazhorancave demokratike të vendeve të tjera mund t’i japin vetëm njerëz si Bin Ladeni apo politikanë me mentalitet totalitare. Po kështu Bumçi foli edhe për grevën e urisë së deputetëve socialistë, duke theksuar se të gjithë shqiptarët e injoruan këtë grevë, e cila sipas deputetit demokrat, u mbështet vetëm nga diktatori i fundit shqiptar, Ramiz Alia.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›