PD akuzon maxhorancën se po përpiqet të fusi në kaos listat e zgjedhësve duke ndryshuar ligjin

PD e opozitës akuzoi të enjten maxhorancën se me ndryshimin e ligjit për Gjendjen Civile ka ndërmarrë përpjekjen e radhës për të legjitimuar kaosin në listat e zgjedhësve.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një dalje para mediave tha se, “ndryshimi i fundit i ligjit të Gjendjes Civile me ndikim në zgjedhje, vetëm 5 muaj para zgjedhjeve, ndryshim me të cilin Qeveria heq sanksionet për mosdeklarim të vendbanimit, janë vetëm një përpjekje e radhës e Ramës që të legjitimoje shkeljet dhe kaosin e listave të zgjedhësve”.
“Çdo manipulim në regjistrat e Gjendjes Civile është manipulim i listave të zgjedhësve. Edi Rama po i kthen standardet e zgjedhjeve tek niveli skandaloz i viteve 2000-2003” tha zoti Bylykbashi.
Ai i quajti manipulime të trasha që po dalin mbi ujë. Zyrtari i lartë i opozitës premtoi se këto përpjekje “do të bllokohen dhe shkelësit e ligjit deri tek nëpunësit e Gjendjes Civile që falsifikojnë të dhënat do të përgjigjen”.
“Presidenti i Republikës ia ktheu mbrapsht këtë ligj me shkelje të standardeve të zgjedhjeve. Me shumë të drejtë ai ngriti alarmin për këtë përpjekje për manipulim të listave nga Qeveria. Por Edi Ramës nuk i shohin sytë kur afron humbja e zgjedhjeve. Kur ka frikë se humb ai përpiqet të shkatërrojë zgjedhjet. Pavarësisht tentativave të dëshpëruara, më 25 prill 2021 ai thjesht humb” tha ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.