PD del nga shinat, rinis sulmet ndaj opozitës

Selia e Partisë Demokratike
Pak minuta pas takimit Patozi-Ruçi u paralajmëruar se në selinë e Partisë Demokratike do të kishte një deklaratë për shtyp.
Në një kohë kur pritet që deklarata të ishte një farë përgjigje për kushtet e opozitës, PD surprizoi.
Deklarata nis me një lajm të ndodhur përtej Adriatikut dhe përfundon me akuza për lidhje me mafien të opozitës.
Dje forcat e rendit ne Shqipëri dhe Itali vendosën para ligjit rreth 32 anëtarë shqiptarë dhe italianë të një bande të madhe dhe tejet të rrezikshme të mafies së trafikut të drogës, si dhe konfiskoi skafin dhe mjete të tjera të organizatës së tyre të krimit të organizuar, tha zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi.
Sipas PD-së me porosi dhe në interesa direkte të mafies së trafiqeve të drogës me të cilën ndajnë me sa duket fitimet, deputetët e PS-së kanë marrë nismën për të anuluar moratoriumin e ndalimit të skafeve.
PD nënvizon se kjo nismë kërcënon interesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Evropë. Një deklaratë e tillë nga PD nuk është dëgjuar që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Reagimi i PD-së vjen në një kohë kur Socialistët kanë vendosur kushtet për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Madje ka kërcënim edhe për rrëzim të qeverisë.
Ndërkohë, nisma e deputetit të Partisë Socialiste, Artan Gaçi, për heqjen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese pritet të votohet në Kuvend gjatë seancës së 7 qershorit. /F.S/