PD dhe “Aleanca për Qytetarin”, fituese me numër votash në qarkun e Elbasanit
Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” kanë fituar zgjedhjet në rang qarku në Elbasan, duke sigluar 5 bashki dhe disa komuna të rëndësishme. Bashkitë Peqin, Librazhd, Përrenjas, Cerrik dhe Peqin janë fituar nga kandidatët e Partisë Demokratike. Po ashtu, PD dhe “Aleanca për Qytetarin” kanë fituar edhe disa nga njësit vendore, komuna, të qarkut Elbasan, duke kontrolluar tashmë 19, kundrejt 13 të opozitës. Pra rezultatet janë të qarta, nga 7 bashki, PD dhe koalicioni i saj janë shpallur fitues në 5 të tilla, ndërsa PS dhe koalicioni i saj në vetëm 2. Partia Demokratike ka fituar edhe këshillin bashkiak të Elbasanit, duke arritur të kontrollojë një shumicë të konsiderueshme aty, prej 47 këshilltarësh kundrejt 20 të “Aleancës për të Ardhmen”. Në tërësi bëhet fjalë për një votë unike të votuesve të qarkut Elbasan, teksa nuk ka shumë ndryshime nga votimet parlamentare të 2009-ës. Partia Demokratike udhëheq me një numër të konsiderueshëm votash, kundrejt Partisë Socialiste.
Partia Demokratike, fituese në bashkinë e Krujës
Ka përfunduar numërimi i votave në qytetin e Krujës, ku ka kryesuar kandidati i Partisë Demokratike Shkëlzen Hoxha me 97 vota kundrejt Ismail Danit të Partisë Socialiste. Me këtë fitore një tjetër bashki rreshtohet në krahun e Partisë Demokratike, krahas bashkive të marra nga numërimet e përfunduara më parë. Ndërkaq edhe në Fushë-Krujë ka përfunduar numërimi nga ku ka kryesuar kandidati i Partisë Socialiste Gjon Bardhi, kundër atij të Partisë Demokratike Bilal Stafuka.