E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD i merr PS-së në Lushnje bastionet historike

12-05-2011 / Gazeta 55

Asnjë kontestim për procesin, numërimi po kryhet me transparencën më të plotë

Numërimi i fletëve të votimit për komunat e rrethit të Lushnjës është një proces që po kryhet me transparencën më të plotë dhe pa kontestimin më të vogël. Deri tani, dy bashkitë e këtij rrethi janë fituar nga koalicioni i “Aleancës për të Ardhmen”, ndërsa beteja për komunat është në favor të “Aleancës për Qytetarin”.
Në bashkinë e Lushnjës, ish-deputeti Fatos Tushe, fitoi përballë Albert Sanxhakut i cili kërkonte një mandat të dytë, me një diferencë prej 3700 votash. Lushnjarët kanë votuar për dy të majtë në këto zgjedhje, PS--LSI. Mendohet që lëvizja e Sanxhakut gjatë katër viteve herë me PS e herë me LSI, ka ndikuar në votimin për bashkinë e qytetit. Rezultati i bashkisë Divjakë, i cili u fitua nga Fredi Kokoneshi i PS, përballë Irakli Gorresë i PD, me 49 vota diferencë, në fakt ishte një rezultat i ngushtë për Divjakën.
Për sa u përket komunave të rrethit të Lushnjës, nga 14 të tilla, 8 janë qeverisur nga të djathtët për 4 vite ndërsa rezultatet e votimeve të 8 majit janë surprize. Momentalisht, PD ka fituar në komunat të cilat kanë qenë prej 8 ose 12 vitesh të qeverisura nga të majtët. Rezultati i komunës Fiershegan ishte i papritur për socialistët.
Shkëlqim Murati, një elektricist i zonës i PD, ka fituar përballë socialistit Bedri Hida i cili kërkonte mandatin e tretë. Edhe Bubullima e qeverisur prej 16 vitesh nga socialistët, këtë herë është fituar nga PD. Të pritshme kanë qenë rezultatet e fitores së PD për komunat Kolonjë dhe Remas, Krutje, Seman.
Këto komuna janë fituar nga Jakup Beqiri në Kolonjë, mandatin e dyte dhe Agin Rredhi në Remas mandatin e tretë të radhës. PD në Lushnjë humbi komunat Grabjan dhe Allkaj. Ardian Shurdhaqi kërkonte mandatin e katërt të tij, por që e ka humbur atë përballë Avdi Snallës, i cili ka mandatin e parë.
Po kështu, dhe Allkaj është humbur nga demokrati Petrit Maliaj i cili kërkonte mandatin e dytë dhe është fituar nga Erges Gjordeni një djalë i ri i socialistëve. Interesant mbetet rezultati i komunës Karbunarë e vogël, i cili deri tani prej 18 vitesh është i qeverisur nga socialistët.

Peqin, bashkia dhe katër komuna fitohen nga “Aleanca për Qytetarin”

Në KZAZ Nr 16 në qytetin e Peqinit ka përfunduar procesi i numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë si edhe të pesë komunave të rrethit. Kryetari i KZAZ, Julian Manahasa, tha se, “ka përfunduar numërimi i gjashtë qendrave të votimit në rrethin e Peqinit. Bashkia e Peqinit përfundoi numërimin dhe e nxori rezultatin, ku rifitoi sërish bashkinë, Ilir Rrushi, kandidati i zgjedhur nga “ Aleanca për Qytetarin”. Ndërsa ditën e sotme KZAZ nr. 16 ka nxjerrë edhe rezultat e kandidatëve fitues të pesë komunave të rrethit të Peqinit, ku katër nga këto janë fituar nga “Aleanca për Qytetarin”, ndërsa një komunë nga kandidati i zgjedhur nga “Aleanca për të Ardhmen”.
Konkretisht, në komunën Pajovë ka rifituar Albert Kreci, në komunën Shezë, Jashar Tabaku, në komunën Përparim, Agim Xhaja në komunën Gjocaj, Isu Toli, të katër fitues të zgjedhur nga “Aleanca për Qytetarin”, ndërsa komunën Karinë e ka fituar kandidati i zgjedhur nga “Aleanca për të Ardhmen”, Selman Karina. Në KZAZ nr. 16 në Peqin tashmë pritet të dalin edhe rezultatet e këshilltarëve të bashkisë dhe pesë komunave. Duket qartë trendi në rritje i votës së qytetarëve drejt kandidatëve të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”.
Kësisoj, me publikimin e rezultateve hap pas hapi, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, do siglojnë një numër të konsoliduar votash, shprehje e vullnetit të qytetarëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›