E Diel, 1 Nëntor 2026

PD dhe “Aleanca për Qytetarin”, rezulton fituese edhe në zgjedhjet e pjesshme lokale

01-08-2011 / Gazeta 55

UPDATE- Koalicioni i Partisë Demokratike “Aleanca për Qytetarin”, rezulton të jetë fituese edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore që u mbajtën të dielën e 31 korrikut. Sipas të dhënave të bëra publike nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, mazhoranca ka arritur të marrë kryesimin në katër komuna, atë Shllak të Shkodrës, Zall Dardhë të Dibrës, Pishaj të Elbasanit si dhe në komunën Armen të Qarkut Vlorë. E vetmja problematikë e vërejtur pas procesit të numërimit ka qenë ai në komunën Finiq, ku ndonëse rezulton fitues me 2 vota përpara kandidati i Partisë MEGA, pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, KQZ konfirmon që komisionerët e opozitës nuk pranojnë të firmosin procesverbalin. “Në komunën  e Finiqit po bëhet një riverifikim i të gjitha të dhënave, pasi të dy kandidatët të cilët janë propozuar njëri nga MEGA dhe tjetri nga Partia për të Drejtat e Njeriut, janë do të thoja në një garë me një diferencë prej 1 apo 2 votash, cka e detyron KZAZ-në të shohë me vëmendje të gjithë materialin zgjedhor deri në nxjerrjen e një rezultati. Në njërën prej tyre, në komunën Mollas zgjedhjet ishin vetëm për këshilltarë, ku koalicioni Aleanca për Qytetarin, ka marrë një mazhorancë dërrmuese”- u shpreh Olli. Zëdhënësi i KQZ-së ka reaguar dhe lidhur me mos mbajtjen e zgjedhjeve në komunën Shalë të Qarkut të Shkodrës, ku edhe të dielën e 31 korrikut, atje nuk u mbajtën zgjedhjet për kryetar komune dhe këshillin e komunës. Z.Olli e cilësoi veprimin e Komisionerëve në këtë KZAZ një krim elektoral. “KZAZ-ja nr.42, në një përbërje me shumicë prej komisionerëve të opozitës dhe pse u vunë në dispozicion mjete ajërore nga Ministria e Mbrojtjes, Helikopterë, të cilët dërguan bazën materiale zgjedhore si në Shllak ashtu edhe në Shalë, në këtë të fundit si rezultat i ndërhyrjes së disa individëve të papërgjegjshëm, të cilët me apo pa dashje ky është një element që do ta përcaktojë drejtësia, krijuan një situatë të rëndë, krijuan një situatë bllokuese, duke bërë të pamundur dërgimin e bazës materiale në disa qendra votimi. Polixia e Qarkut të Shkodrës ka ndërhyrë dhe sot na bën me dije se ka arrestuar 5 prej individëve të cilët kanë penguar zhvillimin normal të zgjedhjeve”- deklaroi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli.
Të dielën e 31 korrikut afro 30 mijë banorë të nëntë komunave iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e tyre lokalë si dhe anëtarët e këshillave komunalë, për katër vitet në vijim. Sipas KQZ-së në këto zgjedhje është shënuar një pjesëmarrje e lartë që arrin në masën 53%. Ndërkaq, pritet që pas ripërsëritjes së votimeve në komunën Shalë, KQZ-ja të mund të bëjë edhe shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve vendore të 8 majit.               

Bllokimi i zgjedhjeve në komunën Shalë, policia prangos 5 persona


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas ndalimit të 5 personave, të cilët penguan zhvillimin e procesit zgjedhor në komunën Shalë të Shkodrës. Në një konferencë për shtyp zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli ka përshëndetur ndërhyrjen e policisë ndërsa theksoi se do të ndalohen të gjithë personat që kryejnë krim elektoral. Duke iu referuar zgjedhjeve të pjesshme në 9 komuna, Olli theksoi se ka përfunduar numërimi në të gjitha komunat ndërsa ka shtuar se do të merren të gjitha masat për të realizuar zgjedhjet, qoftë edhe në njësi vendore. Sipas tij, 4 komuna u fituan nga kandidatët demokratë dhe 4 të tjera nga ata socialistë, ndërsa në Finiq nuk është publikuar ende rezultati përfundimtar pasi diferenca mes dy kandidatëve është vetëm 2 vota.


Përfundon numërimi i votave në komunën Mollas dhe Armen


Ka përfunduar numërimi i votave në komunën Mollas të Korçës. Në zgjedhjet e pjesshme për këshilltarë që u zhvilluan ditën e djeshme “Aleanca për Qytetarin” ka marrë 9 këshilltarë ndërsa “Aleanca për të ardhmen” ka marrë 4 këshilltarë. Kështu në komunën Mollas në Korçë votuan 883 zgjedhës nga 2663 persona me të drejtë vote. Ndërsa në komunën Armen të qarkut të Vlorës ka fituar kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Kliton Haxhiraj me 28 vota kundrejt kandidatit të “Aleancës për të ardhmen” Albert Hoxha. Ndërkohë ditën e djeshne u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme për qeverisjen vendore në 9 komuna të vendit. Procesi i votimit u zhvillua qetësisht në komunat, Shllak të Shkodrës; në komunën Zall Dardhë në Dibër; në komunën Mollas në Korçë; në komunën Kolsh të Lezhës; në komunat Pishaj dhe Papër në Elbasan; në komunën Qendër Skrapar në Qarkun e Beratit si dhe në komunat Armen e Finiq të Vlorës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›