E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet e huaja, Shqipëria renditet e dyta në vendet e Evropës Juglindore- kapërcen shifrën e 1 miliard dollarë investime për 2010-ën

01-08-2011 / Gazeta 55

Zv/ministri Bozdo: Rezultat i politikave dhe reformave të qeverisë në lehtësirat e krijuara për thithjen e investimeve dhe zhvillimin e biznesit


Shqipëria renditet vendi i ditë në Evropën Juglindore që tërhoqi më shumë investime të huaja gjatë vitit 2010. Klasifikimi u bë nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin, ku në raportin e saj për investimet botërore, citohet se për vitin 2010-të, u futën për herë të parë mbi 1 miliard dollarë investime në Shqipëri. E sipas raportit, vendi ynë lë pas fqinjët si Mali i Zi, Maqedoni etj. Përfaqësuesja e UNDP znj. Zineb Touimi-Benjelloun si dhe Koordinatorë Rezidentë të UN në Shqipëri, prezantuan sot përpara mediave “Raportin Botëror të IHD (Investime të Huaja Direkte)”, të hartuar nga UNCTAD, për vitin 2011. “Klima e përshtatshme për investimet ka bërë që Shqipëria renditet e dyta në Evropën Juglindore si vendi që ka tërhequr më shumë investime të huaja direkte. Në vitin 2010-të u investuan mbi 1 miliard dollarë, shifër kjo e konsiderueshme, për vendet si Shqipëria dhe që nuk është arritur më parë”- u shpreh ajo. Parë në mënyrë të detajuar në 2010-të u futën 1 miliard e 97 milionë dollarë investime të huaja direkte, ndërkohë që në 2009-ën kjo shifër ishte në nivelin e 979 milionë dollarëve. Shqipëria ka hedhur hapa para edhe në renditjen e përgjithshme që tregon performancën e investimeve të huaja. Nga 140 vende, Shqipëria renditet e 18-a për vitin 2010, nga vendi i 23-të që ka qenë në 2009-ën dhe vendi i 33-të që ka qenë në 2008-ën. Zv/ministri i Ekonomisë Eno Bozdo, thotë se ky klasifikim është bërë për lehtësirat që ofron vendi ynë për investitorët si dhe reformat që janë bërë në thithjen e biznesit të huaj. “Thithja e investimeve të huaja direkte ka të bëjë në mënyrë direkte me rritjen ekonomike dhe me konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Kjo është arsyeja që thithja e investimeve të huaja direkte është objektiv parësor dhe kryesor i kësaj qeverie”- tha zv/ministri Bozdo. Prurja e investimeve të huaja në Evropën Juglindore për vitin e kaluar ra me 47% kryesisht si rezultat i rënies së investimeve nga vendet e Bashkimit Evropian, që janë dhe burimi tradicional që investon. Ndërkohë Kombet e Bashkuara në raportin e Investimeve Botëtore të viti 2011, citojnë vetëm pak vende që shfaqin ecurinë në rritje të investimeve të huaja. Më tej, përsa i përket pozicionimit të Shqipërisë në këtë raport, z. Bozdo theksoi se: “Referuar këtij raporti, përsa i takon rajonit të Europës Juglindore, FDI-të kanë pësuar rënie në të gjitha vendet me përjashtim të Shqipërisë e cila shënoi përsëri rritje në vitin 2010. Në Shqipëri Investimet e huaja direkte janë rritur për herë të parë më shumë se 1 miliard dollarë, duke e renditur atë në vendin e dytë pas Serbisë dhe të vetmin vend të Evropës Juglindore ku investimet janë rritur pavarësisht trendit global negativ! IHD në Shqipëri, në kontekstin global: Shqipëria pozicionohet në vendin e 18 në botë për indeksin e performancës së IHD nga vendi i 78 në vitin 2006. Ajo ka bërë përmirësime të dukshme lidhur me indikatorët që lidhen me infrastrukturën fizike, furnizimit me energji elektrike dhe kushteve të tjera për investime. Fluksi i IHD në Shqipëri ka ndjekur një trend të ndryshëm dhe pothuaj të pavarur nga trendi rajonal dhe global duke treguar një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Konkretisht: nga 325 milion $ që ishin në vitin 2006, janë rritur qëndrueshëm në vitet: 2007 - 656 milion $; 2008 – 978 milion $; 2009 - 989 milion $ dhe në vitin 2010, 1097 milion $. Investimet e realizuara sipas aktivitetit ekonomik klasifikohen: 44,5% vlerësohen IHD në kërkim shfrytëzim, industri dhe ndërtim; 55,5% në sektorin e shërbimeve, transport, telekomunikacion, shërbime financiare, tregti dhe shërbime biznesi. Pjesëmarrja në rritje e kompanive të huaja në tregun shqiptar është tregues i qartë i kushteve të favorshmë për IHD-të që vazhdojnë të realizohen në disa sektorë të ekonomisë si nxjerrja e mineraleve, sektori energjetik, sektori bankar dhe telekomunikacioni. Qeveria Shqiptare është e ndërgjegjëshme se thithja e investimeve të huaja direkte dhe rritja e konkurueshmërisë të kompanive vendase janë thelbësore për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit, masa të rëndësishme janë ndërmarrë nga qeveria, në drejtim të përmirësimit të klimës së investimeve, reformës rregullatore dhe institucionale, rritjes së disponueshmërisë së fondeve për investime, zhvillimit të infrastrukturës, përmirësimit të kushteve për tregtinë e lirë dhe integrimin rajonal. Niveli i ulët i barrës fiskale që mbizotëron në Shqipëri, nuk është i mjaftueshëm nëse nuk do të shoqërohet me shërbime efikase publike. Për këtë arsye, qeveria vazhdon të kryejë reforma të mëtejshme në fushën e administrimit tatimor dhe doganor, në përdorimin e tokës dhe lejet e ndërtimit, në sistemin e apelimit administrativ, në sistemin e inspektimit dhe e-government. Qeveria shqiptare është në proces përmirësimi të vazhdueshëm të zbatimit të legjislacionit, mbledhjes së taksave, rimbursimit të TVSH-së dhe reduktimin e burokracisë”- mbylli z. Bozdo fjalën e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›