Thaçi mbledh urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës

Këshilli i Sigurisë së Kosovës sot mbajti mbledhjen urgjente të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në cilësinë e tij të kryesuesit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës adresoi situatën politike dhe të sigurisë në vend, duke analizuar në hollësi veprimet e fundit legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e masave të reciporicitetit kundër Serbisë në pikat kufitare veriore dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Si përmbledhje e diskutimeve dhe në përputhje me rrethanat e krijuara, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, aprovoi rekomandimet e mëposhtme për agjencitë shtetërore të sigurisë të Republikës së Kosovës:
1. Këshilli i Sigurisë së Kosovës konsideron se veprimet e agjencive shtetërore të sigurisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit, për sigurimin e zbatimit të masave reciproke tregtare me Serbinë, si dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në atë pjesë të territorit të Kosovës, janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi;
2. Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë e sigurisë së Republikës së Kosovës që të koordinojnë aktivitetet e tyre shumë ngushtë për të siguruar zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës;
3. Këshilli i Sigurisë së Kosovës rekomandon që agjensitë shtetërore të sigurisë së Kosovës, poashtu të koordinojnë veprimet e tyre me mekanzimat nderkombëtarë, që janë prezent në Kosovë dhe që kanë kompetenca në fushën e sundimit të ligjit. Ky koordinim duhet të bëhet gjithmonë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës;
4. Këshilli i Sigurisë së Kosovës, kërkon nga agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës që ta mbajnë në shkallën më të lartë nivelin e gatishmërisë për çdo nevojë të ndërhyrjes me të gjitha mjetet në dispozicion në rast të cenimit të sovranitetit shtetëror dhe rendit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës;
5. Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë shtetërore dhe nga ministritë relevante të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të koordinohen dhe të ndërmarrin veprimet e domosdoshme që t’i dalin në ndihmë qytetarëve që jetojnë në veri të vendit. Kjo ndihmë, duhet të jetë e përqëndruar në sigurimin e nevojave për ushqim dhe medikamente mjekësore, me qëllim të evitimit të çfarëdo krize humanitare atje;
6. Agjencitë Shtetërore të sigurisë së Kosovës, duhet të koordinojnë veprimet e tyre me mekanizmat relevant ndërkombëtar për të zhbllokuar rrugët dhe për të siguruar levzijen e lirë për qytetarë dhe mallra. Përderisa, nuk bëhen plotësisht të lira për qarkullim rrugët e bllokuara, duhet të hapen koridore të reja që mundësojnë furnizimin e qytetarëve më artikuj elementarë;
7. Këshilli i Sigurisë së Kosovës garanton qytetarët e Republikës së Kosovës se do të kryejë të gjitha obligimet e veta kushtetuese dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë ngushtë dhe të kenë besim të plotë në agjencitë shtetërore të sigurisë për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Tahiri: Jo negociata me Beogradin për Veriun e Kosovës
Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do ta pranojë temën e veriut në tavolinën e bisedimeve. “Unë vazhdimisht e kam theksuar se nuk do të ketë tema politike, vetëm praktike”, ka theksuar ajo.
Kjo përgjigje e shefes së delegacionit kosovar ka qenë reaksion ndaj medieve të vendit që kanë raportuar se ngjarjet e fundit të cilat kanë ndodhur në veri të Kosovës do të nxisin hapjen e bisedimeve për status special për këtë pjesë të vendit. Për pamundësinë që dialogu nga ai teknik të “rrëshqasë” në politik, Tahiri ka thënë se tashmë janë deklaruar shumë herë aleatët më të fuqishëm të Kosovës. “Bashkësia ndërkombëtare dhe veçmas aleatët tanë - Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – vazhdimisht kanë konfirmuar se dialogu ka karakter teknik. Asnjë prej faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë nuk ka folur ndryshe përveçse për një dialog teknik”, është shprehur ajo. “Nuk mund të përjashtohen diplomatë që mund të promovojnë ide të tilla të gabueshme, përndryshe qëndrimi zyrtar i Uashingtonit dhe i Brukselit është që dialogu do të trajtojë çështjet praktike midis dy shteteve të pavarura - Kosovës dhe Serbisë”.
Stefanoviç dhe Bogdanoviç, hyjnë ilegalisht në Kosovë, kërcënon ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi
Me gjithë se nuk ishin lejuar të hynin përmes pikës kufitare në Jarinje, kreu i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviç, dhe ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, kanë arritur përmes rrugëve sekondare në Leposaviç. Agjencia Beta shkruan se Stefanoviq dhe Bogdanoviq janë pritur nga rreth 300 banorë serbë. Gjatë ditës pritet të bisedojnë me serbët lokalë që kanë bllokuar rrugët dhe gjithashtu shpresojnë se do të takojnë edhe Komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler. Stefanoviq ka thënë se bisedimet për “statusin e vendkalimeve në veri”- do të vazhdojnë. Ata kanë paralajmëruar se qeveria e Serbisë gjatë ditës do të dërgojë ndihma ushqimore dhe furnizime mjekësore për banorët serbë të veriut. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka deklaruar se dy zyrtarët serb do të arrestohen e më pas do të kthehen në Serbi pas ata nuk kanë marrë leje nga autoritetet e Prishtinës. Ndërkohë bllokimi i rrugëve në veri vazhdon.
...