E Diel, 1 Nëntor 2026

“PD dhe Berisha refuzuan dënimin e diktatorit”

09/12/2008  Rikthim në refleksione, Edi Rama kujton ngjarjet e 18 vjetve më parë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar dje ashpër kryeministrin Sali Berisha në lidhje me lëvizjen dhjetor ’90 dhe ndërkohë ka dhënë versionin e tij për mosbashkimin me PD-në që në çastet e para të themelimit të saj. Gjatë një bashkëbisedimi me studentë në emisionin “Shqip” Rama u shpreh se më 1990-n më quajtën ‘ekstremist’, sepse u ndava prerazi me PD-në dhe me kryetarin e saj Sali Berisha, i cili në atë kohë ishte ‘shoku Berisha’, pasi ka qenë sekretar i PPSH-së. Duke dhënë argumentet e tij për këtë ndarje, Rama pohoi se ai ishte për dënimin publik të figurës së diktatorit Enver Hoxha dhe kishte kërkuar që Ramiz Alia të konsiderohej pasues i diktatorit Hoxha dhe jo sjellës i demokracisë. “Ne kërkonim që PD-ja të angazhohej për lirimin e të burgosurve politikë, ndërsa Berisha i cilësonte ata si llumin e shoqërisë. Ne në atë kohë hartuam edhe një peticion, që e dorëzuam në derën e Presidencës, ku kërkonim lirimin e të përndjekurve politikë. Por gazeta e Partisë Demokratike refuzoi ta botonte peticionin tonë”, - tha Rama. Duke iu përgjigjur deklaratave të bëra nga Kryeministri Berisha mbi mospranimin e Ramës në PD në ditët e para të krijimit të saj, kreu socialist theksoi se “PD-ja ka vuajtur nga ato probleme që vuan çdo parti që nuk ka hapësira për lirinë e të menduarit. “Ne u ndamë nga regjimi komunist për shumë arsye, dhe ndër to ishte edhe pasoja e trashëguar ndër breza, për arsye të ndasive klasore apo për interesat e larta të partisë. Edhe deklarata e Berishës është pjesë e kësaj mendësie. Berisha ka më pak vjet si i djathtë sesa si komunist”, - theksoi Rama. Në vijim të akuzave ndaj Berishës kreu socialist tha se “Kryeministrin aktual në takimin me studentët 18 vjet më parë e çoi Ramiz Alia, meqë ai ishte komunist”. Duke kthyer në kujtesë shkrimet dhe deklaratat e 18 vjetve më parë, ai theksoi se “ato që kam shkruar 18 vjet më parë nuk më sikletosin, pasi kam bërë gjithë sa munda kundër një regjimi antinjerëzor, siç ishte regjimi komunist”. Ndërsa në lidhje me diskutimet e nisura në mjediset e Akademisë së Lartë të Arteve 18 vjet më parë, Rama tha se kjo lëvizje kishte nisur të artikulohej disa kohë më parë, madje që pas vrasjes së diktatorit rumun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›