PD dhe LSI dënojnë aktin e turpshëm të djegies së flamurit të NATO-s: Për shqiptarët janë kohërat e lirisë, ato të bllokmenëve kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë

“Pinjollët e bllokut po kthejnë PS-në në identitetin e saj të PPSH-së, duke u konfirmuar si turpi i kombit”
Partia Demokratike ka reaguar sot zyrtarisht, duke denoncuar veprimin e papërgjegjshëm të Partisë Socialiste, të djegies së flamurit të NATO-s gjatë protestës së djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli kërkoi sot distancimin e Partisë Socialiste nga ngjarja e shëmtuar.
“Dje në protestën e Edvin Kristaq Ramës, Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqes, Enkelejda Hamdi Shamkut, Gramoz Ruçit dhe pinjollëve të tjerë të bllokut , militant të Partisë Socialiste shkelmuan dhe i vunë flakën flamurit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë së Shqiptarëve.
Para këtij akti të turpshëm e të dënueshëm që fakton se bijtë nuk i lënë gjë mangut etërve në ideologjinë e tyre, udhëheqja tjetër e Partisë Socialiste me verbëri dhe skllavëri të plotë hesht duke dëshmuar kështu se ka qenë porositës dhe organizatore e tij.
Urrejtja e Edvin Kristaq Ramës, Gramoz Ruçit, Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqës, Enkelejda Hamdi Shamkut dhe e Dashnor Myslym Pezës ndaj flamurit të lirisë është genetike, por heshtja e drejtuesve të tjerë të PS ndaj këtij akti anti - kombëtar që dëshmon rikthimin e Partisë Socialiste në identitetin e saj të Partisë së Punës së Shqipërisë është tejet i rëndë e shumë i turpshëm.
Sot jam para jush për tu deklaruar në emër të Partisë Demokratike pinjollëve të rinj të bllokut se kohërat e shqiptarëve janë kohërat e NATO-s, janë kohërat e lirisë, kurse ato të etërve të tyre kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.