E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe LSI dënojnë aktin e djegies së flamurit të NATO-s

Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht, duke denoncuar veprimin e papërgjegjshëm të Partisë Socialiste, të djegies së flamurit të NATO-s gjatë protestës së djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Zëdhënësja e selisë blu, kërkoi dje distancimin e Partisë Socialiste nga ngjarja e shëmtuar.
“Dje në protestën e Edvin Kristaq Ramës, Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqes, Enkelejda Hamdi Shamkut, Gramoz Ruçit dhe pinjollëve të tjerë të bllokut , militant të Partisë Socialiste shkelmuan dhe i vunë flakën flamurit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë së Shqiptarëve. Para këtij akti të turpshëm e të dënueshëm që fakton se bijtë nuk i lënë gjë mangut etërve në ideologjinë e tyre, udhëheqja tjetër e Partisë Socialiste me verbëri dhe skllavëri të plotë hesht duke dëshmuar kështu se ka qenë porositës dhe organizatore e tij”, u shpreh ajo.
Sipas zëdhënëses së Partisë Demokratike, urrejtja e Edvin Kristaq Ramës, Gramoz Ruçit, Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqës, Enkelejda Hamdi Shamkut dhe e Dashnor Myslym Pezës ndaj flamurit të lirisë është genetike, por heshtja e drejtuesve të tjerë të PS ndaj këtij akti antikombëtar që dëshmon rikthimin e Partisë Socialiste në identitetin e saj të Partisë së Punës së Shqipërisë është tejet i rëndë e shumë i turpshëm.
Partia Demokratike, u deklaron pinjollëve të rinj të bllokut se kohërat e shqiptarëve janë kohërat e NATO-s, janë kohërat e lirisë, kurse ato të etërve të tyre kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë.
Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, dënoi dje aktin e shëmtuar dhe provokativ të djegies së flamurit të NATO-s në mjediset e protestës së organizuar nga lidershipi josocialist i Partisë Socialiste.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama tha se është dyshimtë nëse përmes këtij gjesti lidershipi jo socialist i Partisë Socialiste dëshiron të shpreh mesazhe për organizatën më të madhe politiko ushtarake, për partnerin më të madh të sigurisë sot në botë dhe për NATO-n, ku Shqipëria është anëtarja më e re e saj.
“Gjeste të tilla, apo akte të tilla të shëmtuara në thelb shprehin një mentalitet fondamentalist dhe tejet regresiv, të cilin nuk e bashkon asgjë më trendin evropian të zhvillimeve të vendit dhe me investimin e madh, që vet shoqëria shqiptare ka bërë dhe po bën në kuadër të integrimit të plotë vendit, në tërësinë e hapësirës euroatlantike. Djegia e flamujve, apo thirrjet për djegie flamujsh janë shenja të mentaliteti tejet të prapambetur, janë rudimente të një politike më të vjetër sesa politika e vjetër, e për pasojë ajo çfarë priste dhe pret opinioni nuk është heshtja përballë shfaqjeve të tilla të shëmtuara, por është reagimi i përgjegjshëm qytetarë dhe politik”, u shpreh Rama.
Ai tha se LSI, dëshiron të ftojë publikisht kryetarin jo socialist të Partisë Socialiste që të distancohet dhe të dënojë prerë dhe qartazi, publikisht dhe politikisht, aktin e shëmtuar të djegies së flamurit të NATO-s në protestën e organizuar prej tij.
“Shqiptarët kudo që janë e kanë për detyrë t’i jenë mirënjohës NATO-s, e kanë për detyrë ta shprehin këtë mirënjohje, sepse ne nuk mund të harrojmë kontributin e madh dhe të jashtëzakonshëm që NATO ka luajtur për çlirimin e Kosovës, për zgjidhjen drejt të problemeve të mëdha dhe të tërësisë së çështjeve që lidhen me atë që është e njohur si çështja shqiptare në Ballkan”, deklaroi më tej, zyrtari i lartë i LSI-së, Luan Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›