E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Edi Rama je një subjekt i rrezikshëm politik, ktheu te krijesa jote politiko-mediatike G 99

Petro Koçi, kryetari i PS ’91, letër e hapur për Edi Ramën kryetarin e PS-së “Je gati ta lesh pa shtëpi mendimin ndryshe. Je gati ta lesh pa punë, d.m.th., pa bukë. Ngaqë ka dëgjuar se zëri i ndërgjegjes mezi dëgjohet kur zorrët zënë e kërcasin. Je bërë si një personazh te ‘Lulëkuqet mbi mure’, ke filluar tu hedhësh nga një krodhe buke socialistëve që të rezultojnë kundër teknologjisë tënde. Mos e përdor më të ardhmen si alibi për të mbuluar teknologjinë tënde te stërvjetër” Kryetari i Partisë Socialiste ‘91, Petro Koçi, ka reaguar ndaj ngjarjes së disa ditëve më parë kur Policia Bashkiake e Tiranës dhunoi banesën e anëtarit të kryesisë PS ‘91, Ilir Kokona, njëherazi drejtues i njësisë minibashkiake nr. 3 në kryeqytet. Me anë të një letre të hapur, Koçi, pasi e ka dënuar këtë akt të pashembullt si një produkt të një mendësia autoritariste që nuk pranon mendimin ndryshe, akuzoi kryesociaslistin se për vite më radhë ka përdorur PS dhe anëtarësinë e tij për interesat e tij të ngushta, ndërsa e ka ftuar që të braktisë selinë rozë dhe të shkojë te krijesa e tij politiko-mediatike G 99, e drejtuar formalisht nga Erion Veliaj . “Je gati ta varrosësh nën gërmadhat qe i prodhon vetë. Të kujtohet si e varrose në statut mendimin ndryshe? Por, ti ke harruar që varrimi politik i mendimit ndryshe është varrimi i demokracisë. Se mendimi ndryshe është në fakt gjeneratori i lirisë. Mendimi i lirë s'mund të jetë tjetër, veç mendim ndryshe! Liria e mendimit nuk llogarit shumicë dhe pakicë! Mendimi i shumicës nuk është automatikisht mendim i drejtë. Dhe respekti për mendimin e lirë nuk ndryshon nga fakti se në ç'numra përfaqësohet ai. Shumica nuk ka kurrë të drejtë të përdorë ruspën ndaj alternativës ndryshe. Kjo ndodhte kur në pushtet që ai ndaj të cilit ti je nip jo vetëm biologjik, por tashmë edhe politik! Mbete antisocialist i përbetuar! Megjithëse mundohesh ta fshehësh. Sepse të duhen votat e socialistëve. Kurrë nuk u ke qenë mirënjohës atyre. Ke menduar se e kanë pasur për detyrë të të japin karrigen e kryeministrit të Tiranës. Kur ti s’ke moral të shprehësh një vlerësim politik për ish Kryetarin tënd dhe ish Kryeministrat e tu që të ngopën me buxhete, ç’mund të presin ata mijëra militantë që u rropatëm djersitën apo dhe u gjakosën në qendrat e votimit për të mbrojtur votat e demokracisë? Prandaj duhet të shkosh te partia jote G 99. E meritoni njëri tjetrin”, shkruan Koçi ne letrën e tij drejtuar Ramës. Kreu i PS ‘91 deklaroi se G 99 nën urdhrat e kryebashkiakut të Tiranës, e kreu me skrupolozitet detyrën që i ishte caktuar. “Ata luftuan Nanon dhe PS-në që të të bënin ty kryetar të madh. Që ti fusje në listë pastaj. Mirënjohja nuk është patjetër një barrë që duhet hequr qafe. Ajo është e tille kur e meritojnë pushtete informale dhe përfaqësues të krimit. Nuk kam dëgjuar tu jesh shmangur mirënjohjeve te tilla. Mesa duket pushteti i tyre mbetet shumë i fortë mbi ty dhe bashkëpunëtoret e tu! Si në rastin e Gërdecarit tënd”, vijoi më tej Koçi. “Edi, shkruan më tej kreu i PS ’91, demokracia nuk është fasade, por konstruksion demokratik, njerëzor, edhe pse për ty mjafton të jetë fasadë, pasi me fasada ka filluar në fakt edhe karriera jote e tenderëve. Por, fasada me të cilën ti ke mbështjellë ‘demokracinë’ tënde nuk të lë të shohësh konstruksionin tënd. Sepse nuk është transparente! I ke vënë një bojë shumë të trashë. Njerëzit tani nuk flasin më për konstruksionin e demokracisë. Mund te debatojnë vetëm për fasadën. Sepse transparenca ka mbetur në arkivat e politikës së vjetër. Te kujtohet KPD ja e famshme? 'Pse duhej që gjithë populli të merrte vesh se ç’bëhej aty ' do thoshte politika e re. D.m.th., transparenca të nxjerrka bojën! A nuk e kupton që prandaj i duhet sistemit demokratik? Ta përsëris! Për ti nxjerrë bojën, d.m.th., fasadën politikës, së re apo të vjetër. Je kthyer në një subjekt të rrezikshëm politik. Je gati ta lesh pa shtëpi mendimin ndryshe. Je gati ta lesh pa punë, d.m.th., pa bukë. Ngaqë ka dëgjuar se zëri i ndërgjegjes mezi dëgjohet kur zorrët zënë e kërcasin. Je bërë si një personazh te ‘Lulëkuqet mbi mure’, ke filluar tu hedhësh nga një krodhe buke socialistëve që të rezultojnë kundër teknologjisë tënde. Mos e përdor më të ardhmen si alibi për të mbuluar teknologjinë tënde te stërvjetër”, përfundon letrën e tij të hapur Petro Koçi. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›