E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS, emrat e kandidatëve që pritet të garojnë në Qarkun e Tiranës

Dy partitë kryesore, rivalitet të ashpër për qarkun me numrin më të madh të deputetëve. PD dhe PS kanë projektuar kandidaturat paraprake në listat e tyre për Tiranën

Eljona Ballhysa, Shaban Sulçe

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë projektuar emrat kryesorë të kandidatëve të tyre në zgjedhjet e 28 qershorit për Qarkun e Tiranës. Për shkak të numrit të lartë të mandateve, 32 të tillë, në Qarkun e Tiranës pritet të jetë edhe beteja më e madhe e zgjedhjeve të ardhshme të 28 qershorit. Në këtë qark, dy partitë kryesore pritet të përqendrojnë potencialet e tyre kryesore në mënyrë që të sigurojnë sa më shumë mandate. Përveç rivalitetit ndaj njëra-tjetrës, PD dhe PS do të përballen edhe me konkurrencën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila paraqitet në Qarkun e Tiranës me ambicie konkrete për sigurimin e një numri të konsiderueshëm mandatesh. Dy partitë kryesore të politikës prej kohësh kanë filluar përgatitjet paraelektorale në Qarkun e Tiranës, ndërkohë që paralelisht me këto përgatitje janë piketuar edhe kandidaturat paraprake, të cilat do të përfaqësojnë listat e PS-së dhe të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit.

PD
Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike për strukturat drejtuese duket se janë lënë jashtë vëmendjes së lidershipit të kësaj partie për arsyen e fortë se në prag janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Të gjitha strukturat e PD-së dhe vëmendja e udhëheqjes së partisë është përqendruar pikërisht në organizimin e procesit të ardhshëm zgjedhor. Për faktin se Tirana ka dhe numrin më të madh të deputetëve nga të gjithë qarqet e vendit, e gjithë beteja elektorale pritet të përqendrohet në kryeqytet. Për këtë arsye, megjithëse ndodhemi katër muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kanë filluar të përvijohen listat paraprake të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës. Ajo që vihet re është përqendrimi në këtë listë i emrave drejtues të Partisë Demokratike dhe i personaliteteve më të shquara të saj. Sipas burimeve, në krye të listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në Qarkun e Tiranës do të jetë kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, i cili ka pasur zonë elektorale historikisht qytetin e Kavajës, të cilin e kap Qarku i Tiranës. Po kështu, në listën e Tiranës pritet të futet edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili zonë elektorale të tijën ka pasur Bashkinë e Vorës, e cila është pjesë e Qarkut të Tiranës. Në listë do të jenë deputetët aktualë të PD-së, të cilët, sipas burimeve, do të rikandidojnë sërish në kryeqytet, si Edi Paloka, Majlinda Bregu, Bujar Nishani, Ylli Pango, Besnik Mustafaj e Lajla Pernaska. Në listën e kandidatëve për deputetë të Qarkut të Tiranës mësohet se do të përfshihen dhe kandidatët aktualë për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës, siç janë: Gjergji Bojaxhi, Arben Xhiku e Arta Sakja. Në listë, Berisha do t’u japë hapësirë edhe drejtuesve të dikastereve të rëndësishme, siç është Agjencia e Legalizimeve, duke krijuar hapësira në zonat informale për drejtorin e Legalizimeve Shaban Meminë, si dhe për nëndrejtorin e kësaj agjencie, Ferdinand Shehun. Pritet gjithashtu që në Tiranë të kandidojnë disa prej këshilltarëve të kabientit të kryeministrit Berisha dhe disa zëvendësministra, siç janë: Arben Imami, Gjergj Lezhja, Suzana Guxholli, Petraq Milo, Glori Husi, Myqerem Tafaj, Zana Zhuka, Edit Harxhi, Marjeta Zaçe e Iva Zajmi. Po në Qarkun e Tiranës pritet që Berisha të përfshijë dhe drejtuesit e grupeve të punës për zgjedhjet, siç janë Flamur Noka e Gent Strazimiri. Më poshtë po ju paraqesim listën paraprake të kandidatëve për deputetë të PD-së në Qarkun e Tiranës.

PS
Aktualisht Partia Socialiste po i kushton vëmendje organizimit paraelektoral dhe përcaktimit të kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve të saj në zgjedhjet e qershorit 2008. Kryesia e Partisë Socialiste ka caktuar deputetin Shpëtim Idrizi si të deleguarin e saj për mbarëvajtjen dhe ndjekjen nga afër të përgatitjeve të strukturave të PS-së për zgjedhjet në Qarkun e Tiranës. Përsa u përket kandidatëve, selia rozë pritet të rikandidojë tre nga katër deputetët e saj aktualë, të cilët janë zgjedhur në zgjedhjet e 2005-s në qytetin e Tiranës. Përveç Shpëtim Idrizit, i cili është edhe i deleguari i kryesisë për përgatitjet elektorale të PS-së në Qarkun e Tiranës, pritet të rikonfirmohen si kandidatë edhe deputetët aktualë Andis Harasani dhe Ermelinda Meksi. Lista e kandidatëve të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës duket se do të përbëhet edhe nga kandidatë të rinj, të afirmuar në strukturat e larta të Partisë Socialiste pas ndryshimit të lidershipit të saj në vitin 2005. Ndër ta është emri i kreut të PS-së së Tiranës Besnik Baraj, anëtarja e Kryesisë së PS-së, Saemira Pino, nënsekretari i Programit Ilir Beqja, kryetari i Komisionit të Ligjeve Ylli Manjani, sekretari për Çështje Ligjore Damian Gjiknuri, kryetarja e Komisionit të Arsimit Ledi Shamku. Në listë duket se do të përfshihen edhe kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste Ermira Danaj, anëtarja e Shtabit Elektoral të PS-së Etleva Bishaj, anëtari i Asamblesë Kombëtare Arben Ahmetaj si dhe drejtuesi i fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri.

Lista e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës
Sali Berisha
Astrit Patozi
Edi Paloka
Majlinda Bregu
Bujar Nishani
Shaban Memia
Ylli Pango
Sokol Olldashi
Lajla Pernaska
Besnik Mustafaj
Arben Imami
Gjergj Lezhja
Gjergji Bojaxhi
Flamur Noka
Gent Strazimiri
Osman Metalla
Omer Stringa
Suzana Guxholli
Saimir Shehri
Myqerem Tafaj
Ferdinand Shehu
Petraq Milo
Glori Husi
Genc Pollo
Taulant Bino
Florian Mima
Edit Harxhi
Zana Zhuka
Arta Sakja
Arben Xhiku
Marjeta Zaçe
Iva Zajmi

Kandidaturat e mundshme të PS-së

Shpëtim Idrizi
Andis Harasani
Ermelinda Meksi
Besnik Baraj
Ylli Manjani
Ilir Beqja
Damian Gjiknuri
Saimir Tahiri
Ermira Danaj
Arben Ahmetaj
Ledi Shamku
Saemira Pino
Etleva Bishaj
Mimoza Hafizi
Eduard Shalsi

Tirana, prag i ulët, numër i madh deputetësh

Qarku i Tiranës do të shënojë rekordin përsa i përket nivelit të ulët të pragut elektoral në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë qark do të dalin 32 deputetë, ndërkohë që pragu elektoral do të jetë 3.2%, më i ulëti nga 12 qarqet e vendit ku do të konkurrohet mbi bazën e sistemit proporcional rajonal në zgjedhjet e vitit 2009. Kjo përqindje e ulët e pragut elektoral duket se do t’i shtyjë të gjithë kryetarët e partive të vogla, pjesëtare të tre koalicioneve konkurruese, që të betonizohen në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme. Por Tirana do të shënojë edhe betejën midis tre liderëve të koalicioneve, Berisha, Rama dhe Meta, të cilët do të konkurrojnë në Tiranë dhe do të përqendrojnë energjitë e tyre në këtë qark për shkak të numrit të lartë të deputetëve që do të mandatohen nga ky qark, 32.

Qarku i Tiranës

Numri i votuesve 660505
Numri i votuesve të mundshëm 330252
Numri i mandateve 32
Pragu elektoral 3.2%

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›