Skemat e fshehta të financimit të fushatave elektorale
Ekspertët: Në Shqipëri është gati i pamundur hetimi i këtyre financimeve. Nuk ka një organ të specializuar, por as një ligj të përshtatur për financimet
Habjon Hasani
Tiranë - Shqipëria nuk ka ende një ligj të posaçëm dhe të gjithëpranuar të kontrollit mbi financimet elektorale të partive, fakt ky që na premton edhe një tjetër fushatë zgjedhore plot shkëlqim, miliarda dhe mistere! Kodi i ri Zgjedhor ka ngarkuar KQZ-në për krijimin e një komisioni financiar të verifikimit të deklaratave dhe bilanceve elektorale të partive, por ky komision shkon vetëm deri këtu. Më tej do të vazhdojë e njëjta histori 18-vjeçare e financimeve të “paqarta” të partive. Sikundër prej vitesh është vërejtur, “fondet e vërteta”, ato me më shumë “zero”, nuk deklarohen, por infiltrohen me metoda klandestine dhe të panjohura për publikun dhe zgjedhësit. Gazeta “Albania” ka konsultuar disa ekspertë të Antikrimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës, të cilët kanë dhënë pikëpamjet dhe konkluzionet e tyre lidhur me mundësitë e zbulimit të këtyre financimeve të padeklaruara, që ndonëse zënë “pjesën e luanit”, nuk deklarohen asnjëherë. Të paktën dy ekspertë të Antikrimit Financiar në Prokurorinë e Tiranës kanë pohuar se “zbardhja e të tilla financimeve kërkon metoda speciale hetimore, pasi mënyra e lëvrimit dhe infiltrimit të tyre ka karakteristika thuajse të njëjta me metodat e infiltrimit dhe kamuflimit të parave që vijnë nga aktivitetet e paligjshme”. Duket një konkluzion paksa i vështirë për t’u pranuar, por sipas hetuesve të krimeve ekonomike në Tiranë, fshehja dhe tjetërsimi i destinacionit të të ardhurave ka të njëjtën natyrë kurdoherë dhe ndjek të njëjtën trajektore antiligjore si në rastin kur kamuflohen paratë e fituara nga shitja e produkteve të paligjshme, ashtu dhe në rastet kur kamuflohet shitja e influencës dhe e mbështetjes së fshehtë politike.
Zbardhja
“Që në momentin kur një subjekt nuk deklaron sipas ligjit apo rregullores zgjedhore të gjitha burimet dhe sasitë e të ardhurave, është në shkelje ligjore. Mënyra e sigurimit dhe e infiltrimit e më tej e mbulimit të këtyre të ardhurave kërkon një punë kolosale për t’u zbardhur. Ky është një ngërç dhe problem tipik në punën e Antikrimit Financiar, pasi zakonisht të tilla shuma të padeklaruara u dorëzohen partive ‘kesh’ (që është dhe mënyra më e sigurt), ose nëpërmjet kombinacioneve të firmave dhe transaksioneve nga zona offshore. Thellimi i hetimit në këtë drejtim kërkon organizim dhe informacion paraprak operativ. Pra të dhënat fillestare duhet të vijnë nga burime të besueshme, pasi orientimi spontan është gati i pamundur. Në përgjithësi, për zbulimin e këtyre financimeve synohet më shumë zbardhja e transaksioneve dhe e faturave të shitblerjeve dhe në rast se nuk ka transaksion, por ka dorëzim ‘kesh’, metoda më e mirë është dokumentimi filmik apo përgjimet e autorizuara telefonike. Në të dyja rastet lypet shumë kohë dhe shumë infrastrukturë për të dalë me sukses hetimi”, - shprehet një prej ekspertëve të Antikrimit Financiar në organin e akuzës së kryeqytetit.
Metodat
Për ekspertët e Antikrimit Financiar baza aktuale ligjore dhe natyra e vështirë e dokumentimit të këtij financimi të fshehtë partiak e bën thuajse të pamundur në praktikë zbardhjen e tij. Ndoshta kjo është arsyeja që deri sot në Shqipëri fushatat janë bërë gjithnjë madhështore, ndërsa shifrat e deklaruara për to kanë qenë gjithnjë “lilipute”. Gjithsesi, Kodi i ri Zgjedhor parashikon se subjektet zgjedhore mund të marrin, për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore, fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Për qëllim të këtij Kodi konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlera në sende ose shërbime. Ky kod ndalon dhënien e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij nëse ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit, me vlerë mbi 10 milionë lekë; nëse ushtron veprimtari në fushën e medies; nëse ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme; nëse ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë
duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor.
Çudia, edhe auditi i fondeve përzgjidhet nga një strukturë politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një përbërje me anëtarë të sugjeruar nga formacionet kryesore politike. Pikërisht kjo KQZ përzgjedh dhe përcakton punën e grupit auditues që duhet të kontrollojë financimin e partive politike. Jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, për çdo subjekt zgjedhor KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas Nenit 92 të këtij kodi, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Raporti nuk mund të përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në pikën 1 të Nenit 90 të këtij kodi. Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore sipas këtij Kodi. KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse. Lidhur me përzgjedhjen e audituesve, KQZ-ja përzgjedh me konkurrim një listë të ekspertëve kontabël të licencuar në fillim të vitit zgjedhor. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit. Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë edhe fondin e nevojshëm për auditimin e subjekteve zgjedhore.
Precedenti i “BG&R”, fondet qesharake sollën skandalin “Fazlliç”
“BG&R” punoi për llogari të PD-së deri më datë 1 korrik 2005. E gjithë puna e saj mund të përmblidhet në 4 muaj. Duke pjesëtuar shumën e deklaruar në KQZ me katër muajt që “BG&R” ka punuar për llogari të PD-së, i bie që çdo muaj “BG&R” të jetë paguar nga 45 400 USD. Shuma duket se nuk është tunduese, aq sa t’i detyrojë afro 10-12 punonjës të “BG&R”, drejtorin Ekzekutiv, Leni Grifit, këshilltarin amerikan për çështjet audio e vizive të fushatës, Stiven Stjuart, deri dhe presidentin e “BG&R”, Robert D. Blakuill, të linin “tokën e premtuar” dhe të vinin deri në Tiranë për të organizuar fushatën elektorale të PD-së. Vetëm qëndrimi i gjithë këtij ekipi në Tiranë, në hotelet luksoze të kryeqytetit, banesat luksoze të marra me qira në zonat afër qendrës, ku qiraja është e kripur, shpenzimet tyre për të ngrënë, dietat, qiraja për zyrat e punës, leksionet e mbajtura nga presidenti i “BG&R” në kryeqytet, biletat e avionëve, karburanti etj., etj., me shumat që deklaron PD-ja se ka paguar “BG&R”, të bën të besosh se ata kanë punuar thjesht për “ideal të PD-së”. Puna e kryer nga “BG&R” nuk ka përfshirë vetëm fushatën elektorale, por edhe organizimin e hapjes së Kuvendit të PD-së më datë 24 prill 2005. Asokohe, PS-ja, nëpërmjet numrit 2 të saj, akuzoi PD-në se i ka dhënë afro 2 milionë dollarë kompanisë në fjalë për organizimin e Kuvendit. Këto akuza u hodhën poshtë nga PD-ja. “BG&R” është një kompani e cila e bazon aktivitetin e saj mbi fitimin. Është e qartë se shuma e deklaruar nga PD-ja nuk pasqyron realitetin e shumës që ka marrë “BG&R”, pasi duke njohur praktikën e organizimit të fushatave elektorale të forcave kryesore politike, ato janë shumë herë më të mëdha. Për një shumë të tillë simbolike, zor se do të lëvizte edhe një kompani shqiptare që merret me organizime fushatash, e jo më një kompani prestigjioze, siç është “BG&R”, që erdhi nga përtej Atlantikut. Tre vite më vonë qeverisë i shpërtheu skandali i sekserit të saj Damir Fazlliç, i cili u gjet në konflikt interesi dhe kundërvajtje ligjore në transaksione bankare, në tregun e shitblerjes së energjisë si dhe në investimet në Porto Romano. Tek kjo e fundit Fazlliç rezultoi aksioner me Ed Roxhers, pronarin e “BG&R”. Aktualisht zoti Fazlliç është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, e cila nisi procedimin pas investigimeve mediatike.
24 Shkurt 2009